Prej kohësh lejet e ndërtimit në zonën muzeale të Shkodrës ose zona historike siç quhet ndryshe kanë qenë të bllokuara për shkak të mungesës së planit të detajuar vendor në këtë pjesë të rëndësishme e cila përbën 25% të qytetit. Ky problem është një shqetësim qoftë për banorët e zonës muzeale për pronarët e objekteve të ndryshme të cilët mund t’i kenë në pronësi por nuk jetojnë aty, për ndërtuesit që janë të interesuar për ta zhvilluar atë zonë apo edhe për biznese të shumta që kanë ide të ndryshme për të bashkëpunuar përmes kontratave të qirasë me pronarët apo ndërtuesit e zonës muzeale.
Shkodra është i vetmi qytet i cili ka këtë problem të pazgjidhur prej kohësh. Disa herë ky shqetësim është përcjellë në institucione të ndryshme të varësi të qeverisë shqiptare por deri më tani nuk ka gjetur një zgjidhje konkrete. Lidhur me këtë çështje këtë të premte më 24 mars në orën 17:00 do të zhvillohet një takim në mjediset e hotel “Golden Palace” ku i pranishëm do të jetë deputeti i PS Benet Beci që pritet të kandidojë për PS për kryetar të bashkisë Shkodër në zgjedhjet vendore të 14 majit banorë të zonës së bashku me ndërtues të interesuar dhe pronarët e objekteve në pjesën historike të qytetit të Shkodrës si dhe të gjitha palët e tjera të interesuara si arkitektë të njohur etj.
Ky takim me Benet Becin, i pari i këtij lloji në Shkodër pritet që t’i japë një zgjidhje përfundimtare kësaj pengese të madhe deri më tani që nuk ka lejuar zhvillimin e zonës muzele për shkak se të gjitha lejet e ndërtimit janë bllokuar duke mos u dhënë me justifikimin e mungesës së PDV-së, planit të detajuar vendor. Kjo ka sjellë një disavantazh të madh për ndërtuesit, pronarët, banorët e zonës apo edhe bizneset që kanë patur dëshirën e mirë për ta zhvilluar zonën muzeale, si një prej më të frekuentuarave nga turistët por deri më tani nuk e kanë patur këtë mundësi për shkak të këtij ngërçi ligjor të pazgjidhur deri më tani.
Takimi i të premtes të 24 marsit në hotel “Golden Palace” mes deputetit Beci dhe gjitha palëve të tjera të interesuara pritet që të zgjidh përfundimisht këtë çështje tejet problematike. Deputeti Beci pas këtij takimi do të negociojë me institucionet përkatëse duke përcjellë shqetësimet e pronarëv, ndërtuesve dhe bizneseve për t’i bindur institucionet si dhe për t’i dhënë dritën jeshile lejeve të ndërtimit që deri më tani janë bllokuar në mënyrë të pakuptimtë.