Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, zhvilloi sot takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
“I takova presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kallas përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kurti insiston në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
Kurti tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiçit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Duke folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova e ka fajësuar Serbinë, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.
“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’”, tha Kurti, duke përsëritur kërkesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.
Kallas, që ka nisur mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ketë përgjegjësinë e ndërmjetësimit të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur se a ka dhënë sinjale Kallasi se si e sheh vazhdimin e dialogut, Kurti tha se ajo më shumë ka dëgjuar dhe më vonë do të shihet se si do të veprohet.
“Takimi i sotëm ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve. Dhe do t’i dëgjojë edhe të tjerët dhe nuk ka dyshim se vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe dhe integrim, duke punuar me ekipin e saj. Por, çfarë forme do të merr kjo, është vështirë të thuhet tash. Qartë, ajo po tregon përkushtimin e saj për rajon dhe kjo është shenjë e mirë edhe për Kosovën, që ka pritje nga zonja Kallas, por edhe për gjithë rajonin”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës tha se nuk ka hequr dorë nga kushtet e tij për dialogun që kanë të bëjnë me dorëzimin e Radoiçiçit, tërheqjen e një letre dërguar institucioneve të BE-së vitin e kaluar nga kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërbaniç dhe insistimi që të nënshkruhet Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Gjithashtu ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja mban në fuqi ndaj Kosovës.