Ish kryeministri, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj takimeve që ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi ditën e sotme me Enkelejd Alibeajn, Damian Gjiknurin dhe Ilir Metën në kuadër të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në 14 maj. Në një takim me simpatizantë demokratë në Mallakastër ku prezantoi edhe kandidatin e Rithemelimit, Berisha tha se Yuri Kim nuk ka moral të flasë për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në Shqipëri, duke i kujtuar se ka uruar e para kryeministrin Edi Rama për zgjedhjet e 21 prillit, të cilat kreu i Rithemelimi i konsideron si të vjedhura.
“Pas dy muajsh e bë e gjallë sot. Do i them një fjalë. Nuk ke asnjë moral, asnjë të drejtë të flasësh për zgjedhjet në këtë vend sepse ishe e para që i urove Ramës zgjedhjet më të rrënuara më të plaçkitura në historinë e vendit. Mos mendo se mund t’u shesësh për moral shqiptarëve amoralitetin”-tha Berisha. Teksa foli për gjendjen ku ndodhet vendi, Berisha komentoi edhe konferencën për shtyp të Ramës me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç mbi projektin e Urës së Bunës. Ai tha se Rama kishte ironizuar deklaratën e Abazoviç për rritjen e rrogave në Mal të Zi, prandaj i kërkoi me shaka që vendi fqinj të financonte ndërtimin e Urës së Bunës.
“Erdhi këtu Abazovici dhe tha unë 4 vjet ndenja kryeministër po me 200 euro i rrita rrogat. Dhe ky ja mbajti mend si inatçor që është dhe kur shkoi në Mal të Zi kur po flisnin për urën e Bunës i tha me ironi, bëjeni ju se i keni rritur rrogat”-u shpreh kreu i Rithemelimit.
Në takimin me simpatizantët demokratë në Mallakastër, Berisha u bëri thirrje këtyre të fundit që të votojnë Resmi Shanën në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai përsëriti akuzat ndaj Alibeajt dhe Bashës për të cilët tha se me qëndrimet e tyre i shërbejnë vetëm kryeministrit Edi Rama. Pavarësisht çeljes së fushatës elektorale në Mallakastër, ende nuk është bërë e qartë se nën cilën logo do të kandidojnë kandidatët e Rithemelimit, pasi në 3 mars gjykata vendosi që vulën e PD-së ta lërë në dorën e Alibeajt. Ndërkohë, të dy grupimet brenda PD-së kanë dorëzuar kërkesat e tyre në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale, secili me pretendimin e përfaqësimit të Partisë Demokratike. Alibeaj bëri thirrje që kandidatët e Rithemelimit, të bashkohen në mënyrë që PD të kandidojë me një kandidat të vetëm dhe jo me dy kandidatë të ndryshëm.