Gabriel Escobar ka kërkuar në emër të SHBA-ve që kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit të jenë me integritet të lartë. Ky ishte mesazhi i Zv. Ndihmës Sekretarit të SHBA-ve për Çështjet Evropiane dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, në takimet që zhvilloi sot me zyrtarët më të lartë në vend, si me Presidentin Begaj, kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka dhe liderë të tjerë.
Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka postuar në Tëitter foto nga këto takime duke dhënë edhe detaje. Sipas ambasadës Escobar nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme bashkiake në Shqipëri, nevojën për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë që kandidatët të përmbushin kërkesat e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për integritet të lartë.
“Ai diskutoi gjithashtu për bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për prioritetet rajonale dhe globale, duke përfshirë refuzimin e pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet ndër të tjera në postimin e ambasadës së SHBA.