Deputetët e PD-së, të cilët ndodhen në Strasburg, kanë zhvilluar një takim me koordinatorin e EPP në Parlamentin Europian, Michael Gahler. Sipas një njoftimi nga Grupi Parlamentar demokrat, në takimin me Gahler merrnin pjesë ligjvënësit Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi.
Në njoftim thuhet se si anëtar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, ne kishim mundësi ta informonin mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku Edi Rama dhe mazhoranca e tij, 7 muaj para zgjedhjeve, kanë urdhëruar agresionin ndaj opozitës, përmes burgosjes politike të Liderit të saj dhe deputetëve kundërshtarë të regjimit të Edi Ramës, si dhe përmes asgjësimit të hapësirës kushtetuese të opozitës në institucione.
“Ndërkohë që ka urdhëruar agresionin në të gjitha format ndaj opozitës, Edi Rama ka bllokuar implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, duke mos lejuar realizimin e një Reforme kuptimplotë, që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Asgjësimi i opozitës, ekzekutimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, cënimi i balancave mes pushteteve, bashkëveprimi në qeverisje me krimin e organizuar dhe korrupsioni i kudogjendur, janë metoda që e largojnë Shqipërinë nga Europa dhe e bëjnë të njëjtë me vendet autoritare”, thuhet në njoftim.