Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka komentuar takimin e kryeministrit Rama me shqiptarët në New York. Basha shprehet se kryeministri Edi Rama, sillet si “turist” në krye të një prej vendeve më të varfra dhe më të korruptuara të Europës. Në postimin e tij, Basha thotë se kryeministri është rikthyer tek vendi i krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal. Basha thotë se imazhi i suksesit të Ramës janë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, zv/kryeministri Arben Ahmetaj, si dhe figura të tjera të cilat, sipas tij, janë përgjegjëse për keqpërdorimin e fondeve publike dhe kriminalizimin e institucioneve.

“Kryeministri turist i vendit më të varfër dhe me të korruptuar në Europë, mund të gënjejë veten, por jo qytetarët. Sot është kthyer në vendin e krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur, por ato të autokratëve lindorë.

Sukseset imagjinare të qeverisë së tij kanë imazhin e Saimir Tahirit si ministër të Brendshëm i kriminalizimit të institucioneve, e Arben Ahmetaj si zv. kryeminsitër i korrupsionit masiv, e Beqaj të Shëndetësisë së vjedhur, e Kokës së bandës së inceneratorëve, e Krifcës së fondeve të zhvatura të BE-së, e Çyrbes si ura e Ramës me botën e krimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, e Veliaj të 5D-së, e Xhaçkës për të cilën grisi Kushtetutën, dhe dhjetra emra e zullume që Rama i ka mbrojtur dhe inkurajuar, ndërsa bashkëqytetarët tanë anembanë botës nuk kanë për t’i harruar. Rama që flet për drejtësinë si drejtuesi i qeverisë më të korruptuar në Europë, në fakt, është arkitekti i vonesave të saj, të cilat u dekonspiruan dhe bllokuan nga partnerët strategjikë kur kërkoi të fuste duart e tij të pista në garën për drejtuesin e SPAK dhe në hetimet për inceneratorët. Teksa vendi i afrohet zgjedhjeve dhe Rama ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa në krah, duhet të kujtojmë se për 12 vjet ai kishte të gjithë pushtetin për të bërë mirë, por zgjodhi të punojë për interesat e tij, jo të familjeve shqiptare, që gjatë qeverisjes së tij janë varfëruar e përgjysmuar nga shpopullimi masiv. Shqipëria meriton më shumë”, shkruan Basha.

Një reagim e ka pasur edhe kryetari i PD, Sali Berisha, i cili u shpreh se kreu i qeverisë duhet të pritet vetëm me protesta në Amerikë.

“Miqtë e mi, në emër tuaj, në emër të të gjithë demokratëve, të mbarë opozitarëve shqiptare, ju përcjell përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të pakufishme atyre vëllezërve dhe motrave, qytetarë shqiptaro-amerikanë që sot u mblodhën në një protestë historike kundër Pashiqit të Tiranës. Kundër kryehajdutit të kombit dhe e strukën, e zverdhën aty ku ishte futur. Mirënjohje vëllezër dhe motra, beteja juaj për Shqipërinë, beteja juaj për kombin është oguri i fitores tonë.

Të dashur miq, sot qindra e qindra shqiptarë, atdhetarë, patriotë, të cilët nuk mundet kurrë të pranonin tradhtarin më të madh të historisë së kombit, argatin publik të Aleksandër Vuçiçit, njeriun që duke shkelmuar gjakun e dhjetëra po dhe qindra e mijëra shqiptarëve të rënë gjatë një shekulli për lirinë e Kosovës, pavarësinë e saj, kërkonte ta ndante copë copë me Beogradin, vetëm e vetëm për të plotësuar dëshirat, për të zbatuar projektet ogurzeza antishqiptare të racistëve serbomëdhenj në Beograd.

Sot shqiptarët në Nju Jork, metropolin e SHBA dhe të botës, i dhanë mesazhin më të shkëlqyer shqiptarëve se Edi Rama, ky kryehahajdut i kombit, ky armik i egër që ka zbrazur Shqipërinë sa asnjë pushtim tjetër, në SHBA nuk mund të pritet veçse me protesta. Me protesta të fuqishme. Dhe ata u treguan qytetarëve të Nju Jorkut, por edhe zyrtarëve të SHBA se miku i Aleksis Sorosit është armik i egër i kombit shqiptar. Dhe se ai, është një diktator i urryer nga çdo shqiptar i vërtetë”, u shpreh Berisha.

Artikulli paraprakMBYLLET NDESHJA VLLAZNIA-PARTIZANI, BARAZIM 2-2
Artikulli tjetërSOT NDRYSHOI ORA, AKREPAT KTHEHEN 60 MINUTA PAS