Takimi me të rinj – Rama: Tani, opozita do t’i zërë rrugën Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama e nisi me një ironi për opozitën fjalën para të rinjve që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e këtij viti. Nga Sheshi “Skënderbej”, kreu i qeverisë i tha tani, opozita dëshiron t’i zërë rrugën Shqipërisë. Kryeministri u shpreh se opozita e djathtë nuk i ka fituar asnjëherë zgjedhjet përveç se kur e majta ka qenë e përçarë dhe kjo nuk do të ndodhë më sipas tij. Rama: Kur keni lindur ju, Tirana nuk kishte gjelbërim. Ata që janë aty në çadër, kishin mbjellë gjithë parqet me çadra dhe i quanin zhvillim. Kishin prerë pemët dhe kishin shkatërruar financat e prindërve tuaj duke i marrë dhe çuar gjithë në çadrat e Xhaferrit, Sudes dhe Saliut. Kishin pushtuar të gjithë hapësirat dhe thoshin kjo është “tokë e xanun”. Na u desh të shkulnim të gjithë ato çadra, që ua lanë vendin pemëve që u mbollën dhe hapësirën. Tani duan t’i zënë Shqipërisë rrugën. E vërteta është se ata nuk kanë fituar kurrë përveç se kur ne kemi qenë të ndarë. Ata kanë përfituar nga ndarja jonë. Kanë përçarë dhe sunduar dhe ajo kohë ka ikur, ashtu sikurse ka ikur koha kur pushteti i popullit merrej dhuratë sepse sot kryetari i PD-së, ka një parti që e ka marrë dhuratë pasi drejtoi për 4 vite bashkinë, e drejtoi fjala që bie. Mbasi e ktheu bashkinë në konvikt për të fjetur vet. Le të themi e morën dhuratë nga ata që e grabitën. Nuk duan zgjedhje sepse nuk duan drejtësi, sepse duke qenë se nuk duan drejtësi kanë frikë të ballafaqohen.