Presidenti Ilir Meta do u dërgojë Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ftesë për të diskutuar mbi datën e re të zgjedhjeve lokale. Kjo u bë e ditur nga kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, pas përfundimit të takimit në Presidencë për të njëjtën çështje.

Duke folur në emër të Grupimit të Qendrës së Djathtë, Shehi e konsideroi takimin një hap të vogël në drejtimin e duhur, por mohoi që në tryezë të jetë shpalosur ndonjë propozim konkret.

“Sot gjykojmë se është bërë një hap i vogël, por në drejtimin e duhur. Ne gjykojmë se data e zgjedhjeve nuk mund të jetë një dëshirë, por do të dalë nga marrëveshja politike. Nëse data e zgjedhjeve është thjesht një shtyrje për të fituar kohë, kjo nuk i shërben opozitës”, tha Shehi.

Shehi tha gjithashtu se “nëse pjesa tjetër (mazhoranca) nuk ka luajtur mendsh dhe të vazhdojë me 30 qershorin, atëherë të gjitha këto diskutime janë kot.”

Partitë aleate të PD-së, që kanë formuar Grupimin e Qendrës së Djathtë, kanë propozuar më parë shtyrjen me 6 muaj të zgjedhjeve lokale.

Por pavarësisht këtij propozimi dhe vendimit të Metës për të shfuqizuar 30 qershorin, mazhoranca socialiste këmbëngul se do të hyjë në zgjedhje në datën e përcaktuar dhe dekretin e presidentit e konsideron të jashtëligjshëm.

Artikulli paraprak18-VJEÇARI 4 DITË I ZHDUKUR, DYSHOHET SE ËSHTË MBYTUR
Artikulli tjetër“ÇMENDET” BANKOMATI, NXJERR TË GJITHA PARATË TEKSA NJERËZIT KALONIN