Për mineralet metalore që përpunohen në vend, renta përgjysmohet nga 6 për qind që është aktualisht në 3 për qind.
Sipas qeverisë, kjo masë synon të nxisë industrinë e përpunimit në vend dhe rrjedhimisht vlerën që ajo shton në ekonomi e punësimin. Ulje taksash përfiton edhe industria e fasonit. Aktualisht tarifat doganore për lëndët e para të kësaj industrie janë 2 deri në 15% të vlerës. Por në paketën e re ato bëhen zero për të nxitur edhe më shumë industrinë vendase të tekstileve, e cila vitet e fundit është zgjeruar me ritme të larta. Taksa e tretë që ulet është akciza për duhanin e përpunuar, që kultivohet në Shqipëri, nga 4.400 lekë për kilogram, në 2.500 lekë për kilogram. Për duhanin e përpunuar dhe atë të grirë, akciza nuk ndryshon, ndërkohë që përjashtohet nga taksa e qarkullimit benzina apo nafta, e cila shkon në eksport. Këto janë taksat që ulen, ndërkohë që për disa produkte parashikohet rritje. I pari është gazi i lëngshëm që përdoret për automjetet. Ky produkt, i cili sot është i përjashtuar nga akciza, nga 1 janari do të taksohet me 10 deri në 13 lekë akcizë për litër. Paralelisht rritet numri i automjeteve që paguajnë taksën e luksit në masën 500 euro në vit. Sipas ligjit aktual, këtë taksë e paguajnë automjetet, të cilat kanë një fuqi motorike mbi 3 mijë kubikë dhe vlerë mbi 7 milionë lekë. Por me paketën e re, këtë taksë do ta paguajnë të gjitha makinat me vlerë mbi 5 milionë lekë. Në total, paketa fiskale ka efekt neutral dhe nuk e rrit barrën e taksave për qytetarët apo biznesin. Sipas qeverisë, ajo synon të favorizojë prodhimin vendas dhe ul shtigjet për evazion.