Strukturat e Drejtorisë së Hetimit Tatimor, Rajoni Verior, kanë intensifikuar kontrollet në shoqëritë që kryejnë aktivitet ekonomik në Velipojë, Shëngjin, Tale, Patok, Razëm, Valbonë, etj, në veri të vendit. Nga kjo strukturë, nga data 22 qershor janë kryer në total 890 kontrolle, nga të cilat 375 kanë rezultuar me shkelje tatimore, me vlerë rreth 12.5 milionë lekë.
Sipas Tatimeve, 43 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore me aktivitet hoteleri, bare-restorante etj; 9 subjekte rezultuan me mospajisje me kasë fiskale dhe 26 subjekte për mosmbajtje kase në gjendje pune, ndersa 71 subjekte rezultuan me “moslëshim kuponi tatimor” (herë e parë); 6 subjekte rezultuan me “moslëshim kuponi tatimor” (herë e dytë).
Për këta tatimpagues u mor masa e bllokimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike. Gjithashtu, 55 subjekte rezultuan me punonjës të padeklaruar; 58 subjekte rezultuan me mallra të pashoqëruara me dokumentacion tatimor (fatura); 14 subjekte rezultuan me shitje pa faturë tatimore; 55 subjekte me mungese dokumentacioni, kontrata qeraje, etj. Kurse 38 subjekte rezultuan me shkelje te tjera te legjislacionit tatimor.
Subjektet që rezultuan me mos lëshim kuponi për herë të dytë janë: San Francisco, me vendndodhje në Pedonale Shkodër. Janë penalizuar për moslëshim kuponi tatimor për herë të dytë dhe bllokim i ushtrimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike; Taverna Bixhisteni, me vendndodhje në Pedonalja e Molos Shkodër , Restorant Gjakova-Grill, me vendndodhje në Shëngjin. Vila Aurora, me vendndodhje në Velipojë. Shisha Room, me vendndodhje në Velipojë. Ferdinand Lukani, me vendndodhje në Velipojë.
Si rezultat i penaliteteve për përdorimin e pajisjeve fiskale, për subjektet e kontrolluara ka rezultuar rritje e xhiros me 30%, kjo krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.