Tatimet për artistët: S’paguani taksa, formalizohuni ose penalitete
Këngëtarë, DJ, piktorë, animues festash, dizajnerë, regjisorë apo krijues të çdo arti pamor nuk do mund të ushtrojnë më profesionin pa paguar taksat. Administrata Tatimore i është drejtuar kësaj kategorie me një urdhër, ku u bën thirrje të regjistrohen konform ligjit për të shmangur masat ndëshkuese për evazion fiskal. Tatimet konstatojnë se një pjesë e këtij sektori, që janë subjekt i ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” i është përgjigjur thirrjes në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre. Por gjithsesi sektori mbetet në masë të madhe informal, në një çast që ligji parashikon për këtë kategori një seri taksash kombëtare e vendore. Sipas Tatimeve, muzika, artet pamore, publiciteti, krijimet audio vizive komerciale si pjesë themelore e ekonomisë së artit dhe objekt i konsumit të përditshëm të qytetarëve, kanë qenë dhe do të mbeten në fokusin e administratës tatimore paralelisht me çdo veprimtari tjetër ekonomike. Përpjekja për të ndaluar një herë e mirë evazionin fiskal e ndërmarrë në vijimësi nga organet tatimore shtrihet në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, përfshir edhe ekonominë e artit dhe atë të industrisë krijuese. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ju bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesioneve të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese të cilët janë objekt i këtij ligji, që të paraqiten pranë organave tatimore për formalizimin e aktivitetit të tyre dhe shlyerjen e detyrimeve të mësipërme”, -thekson urdhri i tatimeve. Administrata nënvizon në urdhrin drejtuar artistëve se përpjekja për të ndaluar një herë e mirë evazionin fiskal e ndërmarrë në vijimësi nga organet tatimore shtrihet në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, përfshir edhe ekonominë e artit dhe atë të industrisë krijuese.