Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për muajin shkurt 2025 reflekton ecurinë e të mirë të mbledhjes së të ardhurave, por në krahun e shpenzimeve vijojnë dobësitë me mosrealizimin sipas planit. Tejkalimi i të ardhurave në njërën anë dhe mosrealizimi i shpenzimeve po mban në suficit arkën e shtetit në një kohë që nevojat për financime publike janë të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat totale për muajin Shkurt 2025 arritën në rreth 117.3 miliardë lekë. Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2025, arritën në rreth 93.8 miliardë lekë.

Të ardhurat totale, për muajin Shkurt 2025, arritën në rreth 117.3 miliardë lekë ose 102.4 % e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 13 miliardë lekë më shumë ose 12.5% më shumë. Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat pa kontributet, për periudhën Shkurt 2025, janë në shumën 77.7 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 1.5% më shumë se plani për Shkurtin e vitit 2025. Krahasuar me Shkurtin 2024, janë mbledhur 8.1 miliardë lekë ose 11.6% më shumë. Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 33.6 miliardë lekë, 1.7 miliardë lekë ose 5.3% më shumë se Shkurti 2024. Të ardhurat nga TVSH në import për muajin Shkurt 2025 janë 22.5 miliardë lekë, 809 milionë lekë ose 3.7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 9.5 miliardë lekë, 913 milionë lekë ose 10.7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe realizim 110 milionë lekë ose 1.2% më shumë se plani i akcizës i muajit Shkurt 2025. Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 406 milionë lekë, sa e njëjta periudhë e një viti më parë dhe realizim në masën 104.3% kundrejt planit. Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 1.2 miliardë lekë, një realizim në masën 91% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për Shkurtin 2025 u realizuan në masën 44.1 miliardë lekë, 6.4 miliardë lekë ose 17% më shumë se Shkurti i vitit të kaluar. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 1.5 miliardë lekë ose 3.4% më shumë. Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 16.1 miliardë lekë, 2.3 miliardë lekë ose 17% më shumë se Shkurti 2024. Rimbursimet për periudhën Shkurt 2025 janë 2.3 miliardë lekë, një realizim +343 milionë lekë ose 17.2% më shumë se plani i periudhës. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 6.4 miliardë lekë, 440 milionë lekë, ose 7.4% më shumë se Shkurti 2024, si dhe 182 milionë lekë ose 2.9% më shumë se plani i Shkurtit 2025 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 13.5 miliardë lekë, 3 miliardë lekë ose 29% më shumë se Shkurti 2024, si dhe 1.3 miliardë lekë ose 10.6% më shumë se plani i Shkurtit 2025. Taksat nacionale, për periudhën Shkurt 2025, u realizuan në masën 8.1 miliardë lekë, 599 milionë lekë ose 8% më shumë se Shkurti 2024, si dhe 30 milionë lekë ose 4.8% më shumë se plani për Shkurtin 2025. Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH u realizuan në masën 30 miliardë lekë, 3.1 miliardë lekë ose 11.6% më shumë se Shkurti 2024, si dhe realizim në masën 102.4% të planit të periudhës. Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit 2025, arritën në rreth 93.8 miliardë lekë me një realizim në masën 92.8 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 12 për qind më i lartë ose rreth 10.1 miliardë lekë më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 2 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 11.4 për qind të planit vjetor.Shpenzimet korente, për periudhën 2 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 90.7 miliardë lekë. Ky zë ka rezultuar 10 përqind më i lartë ose rreth 8.2 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet kapitale, për periudhën 2 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 3.1 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 1.9 miliardë lekë më shumë ose rreth 150.6 përqind më i lartë.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA U-17 TRIUMFON NDAJ AZERBAJXHANIT
Artikulli tjetërPRESIDENTI I LETONISË: DUHET TË LARGOHEN MASAT KUFIZUESE TË BE-SË NDAJ KOSOVËS