Afro 200 të burgosur në burgun e Reçit të Malësisë së Madhe i janë drejtuar me një peticion Parlamentit të Shqipërisë duke kërkuar që të gjithë deputetët të votojnë projekt ligjin për amnistinë të iniciuar nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Avokati që përfaqëson të burgosurit Anton Kosteri i bën thirrje kryesisht deputetëve të opozitës që ta votojnë dhe të mos bëhen pengesë duke lënë pas ndasitë politike.
Avokati Kosteri thotë se dy janë kërkesat e të burgosurve. E para që amnistia të mos jetë për më pak se dy vite në uljen e dënimit si dhe i dënuari të konsiderohet personi që vendimi ka marrë formë të prerë deri në ditën që hyn në fuqi ligji.
Projekt ligji për amnistinë penale për të burgosurit kërkon minimalisht 84 vota nga deputetët në Parlament por ky konsensus nuk është arritur ende me opozitën për shkak se deputetët e PD të Gazmend Bardhit dhe Lulzim Bashës dyshojnë se favorizon zyrtarët e korruptuar.