Qeveria miratoi sot (20 korrik 2023) në parim marrëveshjen e përbashkët ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
VENDIMI
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ZBATUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT, PËR TRANSFERIMIN E PERSONAVE TË DËNUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes zbatuese të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor 2022 dhe pas diskutimeve që dy liderët zhvilluan në Londër në mars 2023.
Sipas një deklarate të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhënë më 24 maj 2023, 200 të burgosur shqiptarë në burgjet e Anglisë dhe Uells që vuajnë dënime prej katër vjetësh ose më shumë, do të kthehen në dy vitet e ardhshme për të kryer pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.
Falë marrëveshjes, pala britanike do të paguajë kostot e strehimit të të burgosurve për gjatë gjithë kohëzgjatjes së dënimit të tyre në vendin tonë dhe Shqipëria do të mund të rrisë investimet për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në sistemin e burgjeve.
Ndërkohë që u japim mundësinë të dënuarve shqiptarë në Britaninë e Madhe, të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit pranë familjeve të tyre, Shqipëria do të mund të fuqizojë edhe më tej kapacitetet e sistemit penitenciar.