Një i dënuar në burgun e Fierit kundërshton projektligjin e amnistisë që u miratua nga qeveria në fund të vitit të kaluar dhe po diskutohet tani në komisione përpara se të kalojë në Kuvend për miratim.
I dënuari Viri Shakaj tha se ka mbledhur një mijë firma në një peticion që kërkon zgjerimin e kategorive që përfitojnë amnisti. Ai kërkon që të përfshijë një numër më të madh dhe jo vetëm 180. Viri Shakaj akuzoi se ata që i dënuan sot luajnë domino, referuar gjyqtarëve që u nxorën jashtë sistemit nga vettingu.
“Ideja është këtu. Amnistia duhet të jetë për të gjithë. Shqetësimi nuk është vetëm i imi. Ministrja ka gjithë këto kohë që thotë amnisti, amnisti dhe dalim vetëm 180 të dënuar. Ne jo vetëm që nuk përfitojmë po na mbajnë me shpresa nga 4 muaj. Cila është amnistia, për ata që kanë bërë ndërtim pa leje. Ne kemi firmosur një peticion. Kemi 1000 firma.
Ne kemi dy-tre muaj që e kemi bërë. Ideja është ne kemi kërkuar të bëhet përfshirëse. Jo një i njerkës një i babait. Të gjithë gjyqtarët që na kanë dënuar ne sot luajnë domino. Ne i kërkojmë ta shikojnë mirë sepse na shkatërruan ne, familjet tona.
Vajtëm vite këtu nuk kemi dy muaj. Janë 5500 veta në burgjet shqiptare dhe po dalin 20 veta” deklaroi ai.
Pak ditë më parë ishin të burgosurit në Reç që firmosën një peticion duke kërkuar që të mos diskriminohen nga gratë, të cilave do u ulet 1/3 e dënimit.
Amnistia po vijon që të diskutohet në komisione, deri tani ka kaluar te ‘Ligjet’ dhe ‘Siguria’ përpara votimit në Kuvend.