Anëtari i Këshillit Kombëtar i PD Grigels Muçollari, në një deklaratë për mediat paraditen e sotme tha se pas sulmit kibernetik, të dhënat e shqiptarëve nuk janë më të pasigurta.

PD ka bërë thirrje që Rama të sqarojë se ku përfunduan këdo të dhëna, ndërsa po ashtu ka kërkuar që SPAK të nisë hetimin ndaj AKSH.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike, duke filluar nga sot, do të publikojë një investigim mbi të ashtuquajturin “Sulm kibernetik mbi Shqipërinë”.

 

 

Ky sqarim është i domosdoshëm për të kuptuar nivelin e degradimit të shtetit shqiptar dhe rrezikun e madh që i kanoset qytetarëve tanë. Rasti me i fundit ai i hakerimit te sistemit tims eshte prova se e gjithë baza e të dhënave që administrohet nga shteti: nga qeveria, doganat, tatimet, hipotekat, gjendja civile, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, Sistemi i Lejeve të Drejtimit dhe ai i targave, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e Recetës Elektronike, vërtetimi i ndihmës ekonomike dhe i kërkesës për të përfituar strehim social, listat e notave dhe vërtetimi i diplomës në Universitetin e Tiranës, të gjitha ranë në kontrollin e hajdutëve të informacionit. Të dhënat personale të shqiptarëve, numrat telefonikë, kartat e identitetit, dëshmitë e penalitetit, janë në duart e keqbërësve dhe me to mund të bëjnë ç’të duan: T’i nxjerrin shqiptarët debitorë, me detyrime të pashlyera tatimore për biznesin e madh dhe të vogël; të fshijnë historikun e pagesave që kanë bërë ndër vite, derdhjen e kontributeve në sigurimet shoqërore e shëndetësore, etj. Është një shpartallim nga të katërta anët.

Ata që disponojnë këto informacione, dinë gjithçka për shqiptarët. Situata është tejet kritike, nëse i shtojmë faktin se askush nuk mbajti përgjegjësi për thyerjen e sigurisë dhe paaftësinë për të izoluar në kohë aktivitetin e paligjshëm dhe rikuperuar të dhënat.

Për 2 javë, shqiptarët nuk mundën të merrnin asnjë shërbim nga shteti i tyre, as certifikata personale, certifikata pronësie, dëshmi penaliteti e shumë dokumente të nevojshme, duke pësuar një dëm të madh financiar nga vonesa apo mostërheqja. Siguria e portalit e-Albania u shkërmoq lehtësisht, dhe është ende një pre e lehtë për grabitqarët kibernetikë. Nuk përjashtohet mundësia e rrjedhjes së informacionit nga brenda zyrave të shtetit. Administrata ka brenda një kontigjent që punon për interesat e krimit të organizuar.

Autoriteti përgjegjës që zhvillon, administron dhe mirëmban të gjithë infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, njohur shkurt si AKSHI.

AKSHI ka kontraktuar Jones Group International, një kompani e huaj që vepron në fushën e Teknologjisë së Informacionit, në vlerën e perafert 4 miliarde e 300 milion lekë pa TVSH, për të mundësuar sigurinë dhe ruajtjen e të dhënave në sistemet shqiptare të informacionit. Janë paguar miliona euro dhe vazhdojnë të paguhen miliona euro nga paratë e shqiptarëve, por puna për të cilën kjo kompani paguhet, rezultoi zero me bisht.

Në ditët në vijim, Partia Demokratike do t’ju bëjë të ditur procedurat që AKSHI ka kryer ne vitet e fundit. Informacionet që disponojmë shpien në përfundimin se AKSHI është një kampion i shpërdorimit dhe abuzimit me paratë publike. Kjo strukturë është në vartësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama, i cili ka detyrimin ligjor të sqarojë shqiptarët se, ku përfunduan të dhënat e tyre dhe si janë përdorur ato. Të bëjë transparencë të plotë menjëherë për rezultatet e hetimit që deklaroi se po vijon, duke filluar me emrat e përgjegjësve direktë, atyre që futën duart, porositësve të tyre dhe të tjerëve që e lejuan këtë poshtërsi!

Kërkojmë gjithashtu nga SPAK të nisë menjëherë hetimin ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, si zyrtarja përgjegjëse për ruajtjen dhe mbrojtjen e sistemeve të sigurisë së të dhënave, si dhe ndaj eprorit të saj, kryeministrit Edi Rama, të cilit ajo i raporton.

Paaftësi apo përfshirje, këtë duhet ta përcaktojë drejtësia!

Bashkë do të vijojmë komunikimin ne ditet ne vazhdim, me informacione të tjera lidhur me këtë çështje.

Artikulli paraprakNDAHET NGA JETA NË MOSHËN 96-VJEÇARE AKTORJA E NJOHUR IRENE PAPAS
Artikulli tjetër“RUSIA I DHA 500 MIJË $ PD-SË NË 2017”, REAGON LULZIM BASHA: JA E VËRTETA