Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim ligjin që kufizon deri në limit të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve që akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Kjo masë e cila ishte një zbulim i veçantë i Italisë si nëvojë për tiu përgjigjur një situate të jashtëzakonshme në shtetin fqinj do të merret për të ndaluar kontaktet e të dënuarve me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminale.
Ndër masat shtrënguese renditen lejimi për të takuar një familjar vetëm një herë në muaj, takim i cili do të përgjohet. Ata që nuk takojnë familjarë lejohen të kenë vetëm një telefonatë në muaj që zgjat 10 minuta edhe kjo e përgjuar.
Reduktimin e qëndrimit në ajrim në vetëm 1 orë në ditë. I gjithë ky regjim i kufizuar do të zgjasë 1 vit dhe me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, ky afat mund të zgjatet.
Por në krahasim me ligjin italian, EURALIUS në opinionin e dhënë mbi këtë masë ekstreme, duke sjellë shembuj nga shteti fqinj dhe nga vendimet e mëparshme të Gjykatës Europiane për të drejat e njeriut, konstaton se izolimi i plotë social i të dënuarve mund të shkatërrojë personalitetin e tyre dhe aplikimi i këtij ligji duhet të jetë plotësisht i justifikueshëm.
Në opinionin e tij, EURALIUS thekson se në Itali ky ligj zbatohej për persona si Bernardo Provenzano, shef i rrjetit mafioz Cosa Nostra. Neni 41 bis në itali sipas EURALIUS zbatohet vetëm në raste përjashtimore, ndërsa neni i propozuar nga qeveria shqiptare rrezikon të nënshtrojë një numër të madh personash nën këtë regjim, ndërkohë që duhet të jetë përjashtimor.
Një tjetër vërejtje e EURALIUS është se ligji në Itali zbatohet pasi vlerësohet rasti specifik i të dënuarit dhe izolimi ndodh nëse është plotësisht i justifikueshëm, ndërsa në ligjin shqiptar regjimi i posaçëm i ndalimit zbatohet menjëherë, pa vlerësuar rrethanat që e lidhin individin me krimin.
Nisur nga ky opinion, EURALIUS propozon që projekligji të ndryshohet sipas konstatimeve të tij. Pra, kjo masë të merret vetëm në rastet e jashtëzakonshme dhe vetëm kur këtë e kërkon drejtuesi i prokurorisë së posacme.