Dinamo-Vllaznia është një sfidë, e cila pritet me shumë interes, sepse do të ballafaqohen në fushën e lojës dy skuadrat më të mira të momentit në kampionatin shqiptar. Sytë e të gjithëve do të jenë të përqëndruar në “Niko Dovana” të Durrësit të hënën në ora 17:00. Te skuadra shkodrane kanë nisur përgatitjet dhe gjendja e futbollistëve duket e mirë. Edhe mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, që ka qenë me disa probleme shëndetësore, do të jetë i gatshëm për të luajtur.
Ndërkohë, stafi teknik, me në krye trajnerin Qatip Osmani, ka një dilemë për formacionin, sepse edhe Lorik Boshnjaku e ka kaluar gjendjen gripale dhe do të jetë i gatshëm. Tashmë, mbetet për t’u parë se kush do të mbetet jashtë, ndonjëri nga mesfushorët apo sulmuesit e krahut. Gjasat janë që këtë ndeshje ndaj Dinamos, ta nisë Çoba nga stoli, me Boshnjakun që do të marrë vendin e tij në mesfushë dhe nga krahët e sulmit të luajnë Gruda nga e djathta dhe Mala nga e majta, me Alivodën që do të jetë në mbështetje të tyre dhe të Balajt.
Pjesa tjetër e formacionit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me Qarrin në portë, Smajlin, Stojanoviç, Juriç dhe Hakaj në mbrojtje e poashtu edhe Krymi e Boshnjaku në mesfushë përpara repartit defensiv, si shkatërrues. Te Vllaznia, të gjithë po japin më të mirën e tyre momentalisht, por mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë fusha e lojës ditën e hënë në ndeshjen ndaj Dinamos.