Për burrat dhe gratë, të dukurit bukur mund të nënkuptojë para shtesë në llogarinë bankare. Por, sa? Nga një vëzhgim mbi tregun dhe shërbimet apo produktet më të përdorura, rezulton se femrat e meshkujt shqiptarë po priren të kujdesen më shumë për anën e jashtme të trupit, nëpërmjet gamës së gjerë të kozmetikës dhe trajtimeve estetike. Të dukesh mirë do të thotë diçka ndryshe për secilin prej nesh. Për një person është të kesh një trup gati për plazh, ndërsa për një tjetër janë flokë të mrekullueshëm. Dikush tjetër mund të mendojë se bukuria ka të bëjë me të pasurit lëkurë të përsosur. Një gjë që ne të gjithë kemi të përbashkët është se jemi të përmbytur me imazhe se si “duhet” të dukemi. Ne nuk mund të lundrojmë në rrjete sociale, të shohim një billbord ose të ndezim televizorët tanë pa u përballur me idealet e gërshetuara të ekzemplarit të përsosur njerëzor.
Në këtë kontekst, prej disa dekadash, shumë njerëz i janë drejtuar kirurgjisë estetike për t’i ndihmuar të kenë pamjen e dëshiruar. Ka shumë operacione të disponueshme në epokën e sotme moderne dhe ju mund të ndryshoni pothuajse çdo pjesë të trupit tuaj. Megjithatë, në vend që të kalojnë nën thikë, gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin një opsion më modern dhe trajtimet kozmetike estetike vazhdojnë të ndryshojnë industrinë e bukurisë. Është e kuptueshme që trajtimet estetike jokirurgjikale priren të jenë një opsion më popullor këto ditë dhe shumë po përfitojnë nga trajtimet e jashtëzakonshme të disponueshme, për shkak të zhvillimit të kësaj industrie.
Tendenca, “ujë e sapun”
Mungesa e lëvizjes, ndryshimi i jetesës prej pandemisë patën ndikim të madh në mënyrën se si njerëzit e konsiderojnë mirëqenien fizike dhe pamjen personale. Ata nisën të trajtonin çështjet e pamjes në thellësi. Por, estetika nuk lihet pas dore. Liposuksioni, rinoplastika, transplantet e flokëve, zmadhimi/liftimi i gjirit, reduktimi i gjirit, heqja e qimeve me lazer, trajtimet me Botox, balonat e stomakut, heqja e lëkurës së tepërt të fytyrës, kirurgjia e qepallave, zmadhimi i buzëve, operacioni për korrigjimin e veshëve, operacioni i nofullës, heqja e barkut, operacioni për riformimin e vitheve janë disa nga trajtimet më të njohura që ofrohen në klinikat shqiptare. Shumica e klientëve janë shqiptarë, por ka edhe shtetas të huaj që kërkojnë këto shërbime, sipas aktorëve të tregut. Pjesa më e madhe e procedurave kryhen nga mjekë të kualifikuar shqiptarë apo të huaj nga Italia, Turqia dhe Greqia, me çmime më të volitshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Sot është e rrallë të shohësh një femër që nuk aplikon “elementet magjike”, të cilat përmirësojnë pamjen e jashtme, duke e tjetërsuar fytyrën dhe duke i dhënë bukurisë një tjetër kuptim. Po të marrim një mesatare prej 15 minutash në ditë përkushtim për kozmetikën, një femër përllogaritet të shpenzojë 91 orë në vit, ose ndryshe 4 ditë në çdo vit të jetës së saj.
Korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për botox-in dhe rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, ashtu edhe te meshkujt.