Papa Françesku u takua të shtunën në Vatikan me rreth 180 të afërm të viktimave, si dhe persona që i mbijetuan sulmit me kamion në Nice, më 14 Korrik, në Ditën e Bastijës.
Ai shprehu dhemshuri dhe u tha të pranishmëve që “të mos i përgjigjen urrejtjes me urrejtje dhe dhunës me dhunë”. Në takim ishin ftuar edhe 150 persona, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare: myslimanë, hebrej, të krishterë katolikë, ortodoksë e protestantë. Papa tha se marrëdhëniet e mira ndërfetare mund të ndihmojnë në lehtësimin e plagëve të krijuara nga ngjarjet tragjike.