Shtatë kandidatë të Opozitës nuk i janë bindur vullnetit të partisë dhe kanë pranuar mandatin e deputetit.
Lista pritet të shtohet pasi në listat e PD dhe LSI ka ende emra të lëkundur për të vendosur për mandatin. Ndërkohë PD dhe LSI kanë dorëzuar listat me kandidatët e tërhequr.
Katër kandidatë nga lista e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe tre nga Partia Demokratike nuk i janë bindur vendimit për të dalë nga parlamenti.
Enver Roshi dhe Edmond Rrushi, në qarkun e Elbasanit, Ylli Shehu në Tiranë e Aurora Mara në qarkun e Dibres
kanë dorëzuar në KQZ formularin e vetëdeklarimit duke nisur procedurën për marrjen e mandatit të deputetit. Por lista pritet të shtohet.
Nga komunikimi i Ora News me Ralf Gjonin, anëtar i listës së LSI shprehet se ende nuk ka marrë një shkresë nga KQZ, edhe pse nuk e mohon pranimin e mandatit të deputetit.
LSI ka dorëzuar listën me 11 kandidatë në KQZ që kanë hequr dorë nga marrja e mandatit.
Ndërsa nga PD, Zana Prela, Ligoraq Karamelo dhe Lefter Maliqi kanë pranuar mandatin e deputetit.
Po këtë të premte, përfaqësuesi i PD-së në KQZ ka dorëzuar në protokoll listën me emrat e demokratëve të cilët nuk pranojnë të bëhen pjesë e parlamentit.
Ivi Kaso: Të gjithë kandidatët që kanë qenë pjesë e listës së Partisë Demokratike, që kanë qenë të Partisë Demokratike, të gjithë kanë firmosur dorëheqjen e parevokueshme dhe është depozituar.
Përveç ndonjë kandidati që ka qenë pjesë e partive aleate.Nga lista e PD-së ka edhe emra që nuk kanë pranuar të firmosin dokumentin e PD-së.
Erion Piciri dhe Selami Jenishehri në Tiranë, Kujtim Gjuzi në Durrës dhe Sazan Guri në Berat.
Kujtojmë që Myslim Murrizi i PD-së nuk ka pranuar të djegë mandatin e tij, ndërsa nga LSI Lefter Koka.
Ndërkaq Rudina Hajdari pritet të kthehet në Shqipëri që të vendosë për fatin e mandatit.