Ish-kryeministri Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të përgatiten për protesta “të fuqishme”, siç i cilësoi ai vetë, pasi sipas tij, vetëm protestat do të shpëtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha foli për aferën e inceneratorëve, duke e cilësuar Komisionin Hetimor, si një lëvizje që po përpiqet të varrosë çështjen. Sipas Berishës, afera e inceneratorëve është monstruoze, por është sa 1/10 e aferës së Portit të Durrësit, ku sipas ish-kryeministrit, të përfshirë janë Edi Rama dhe Lulzim Basha.
“Ai që vjedh 1 miliard, do thoshte një ambasador i një shteti në BE, ai që vjedh 1 miliard, vjedh edhe të dytin, sepse oreksi vjen duke ngrënë. E vërteta është se në djegësit e Tiranës, qeveritarët ndanë të paktën 65 milionë euro. Ju këtu përmendi ato biletat e Zotos e Gugalljas, ato janë thërrime në krahasim me ato që kanë vjedhur qeveritarët.
Janë dy hetime, dy komisione, por të dyja përpiqet të varrosin çështjen. Ju sjellin juve konfuzion me Gugalle e Stërgullaje, me Zoto e të tjerë, por këtu gjithçka bëhet për të mbuluar hajdutët e vërtetë. Asnjë qindarkë nuk lëvizte dot pa miratimin e Edi Ramës, nën nxitjen e fuqishme të Don Agaco. A i e dini ju se ai ka dhuruar deri në 30 hektarë tokë të tjerëve? Nuk e dini ju këtë. Pra, kjo është një aferë monstruoze, që do të zgjidhet vetëm nga qytetarët shqiptarë. Ndaj ju bëj thirrje qytetarëve të përgatitemi për protestat më të fuqishme për të shpartalluar këtë vello të zezë vjedhje korrupsioni, që po hidhet mbi ju.
Këtë përpjekje djallëzore për të mbuluar këtë aferë më të madhe të zbuluar deri tani, por që është jo më shumë se 1/10 e aferës së Portit të Durrësit, aferë në të cilën, Edi Rama, kësaj here në bashkëpunim me Lulzim Bravën, kanë stisur plaçkitjen, grabitjen, e 810 mijë metra katror, kanë larguar dhe po largojnë, po lënë Shqipërinë pa porte, Vlorën, Durrësin, Shëngjinin, ndërkohë kërkohet të mbushen kontenieret me miliarda euro me tokë publike.
U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur ky vend, sepse vetëm protesta do të jetë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.