Të përndjekurit, Klosi: Brenda 2017-s likuidohen të gjitha këstet
Rreth 2.400 ish-të përndjekur politikë të cilët jetojnë do të dëmshpërblehen me të gjitha këstet brenda vitit 2017. Kështu ka deklaruar ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi para deputetëve në komisionine e çështjeve sociale. “Me pak buxhet më shumë se viti i kaluar do të realizohet mbështetja për ish-të përndjekurit duke përmbushur me domosdo brenda mandatit qeveritar likuidimin e 8 kësteve për të përndjekurit e gjallë nga regjimi i kaluar”, ka deklaruar Klosi. Klosi shpjegoi projekt buxhetin e dikasterit të tij, i cili për vitin 2017 është planifikuar të jetë 146.39 miliardë lekë, ku një zë të rëndësishëm e përbëjnë 164.730 perosnat me aftësi të kufizuara. Por deputeti i LSI, Petrit Vasili tërhoqi vëmendjen në lidhje me vlerësimin e personave që përfitojnë nga aftësia e kufizuar. “Po të bëni një analizë të detajuar të dhjetëra apeleve dhe kërkesave që vijnë për analiza në Tiranë do të vëreni se ka raste të caktuara (abuzive), me monstruozitete profesionale e shoqërore. Kjo, sepse ministria ka 2 plane: edhe atë medikal, edhe atë social”, tha Vasili. “Mënyra e vlerësimit është e gabuar. Mënyra sesi tek i njëjti mjek merret fleta e paaftësisë, apo dëshmia për person me aftësi të kufizuar ka bërë që sistemi realisht të ketë njolla të zeza dhe vlerësimi të jetë me probleme”, tha Klosi. Ministri Klosi shpjegoi se po ngrihet një bazë të dhënash ku evidentohen të gjithë personat me aftësi të kufizuara që përfitojnë mbështetje financiare, arsyet përse e përfitojnë dhe mënyra e vlerësimit