Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e së premtes në qytetin e Shkodrës.

Ka qenë ora 21:30 minuta kur në lagjen “Qafë Hardhi” ka ndodhur kjo ngjarje. Banorët janë trazuar në atë orë të vonë dhe menjëherë është lajmëruar policia e cila ka ardhur në vendngjarje. Fillimisht u dyshua se të shtënat kishin lidhje me prokurorin e Shkodrës Vat Staka i cili banon në afërsi të vendit ku është qëlluar me armë zjarri. Policia pas verifikimeve të para që janë bërë ka arritur në konkluzionin se ngjarja nuk ka lidhje me prokurorin. Për “Star Plus” bashkëshortja prokurorit, Vjoleta Staka që është edhe drejtore e sigurimeve shoqërore në Shkodër ka deklaruar se të shtënat nuk lidhen aspak me familjen e saj por kanë të bëjnë me një banesë tjetër aty në afërsi. “Po është e vërtetë se banojmë këtu afër ku janë dëgjuar të shtëna armësh por nuk lidhet aspak me ne. Jemi në shtëpi shëndosh e mirë dhe kjo ngjarje nuk lidhet me ne. Të shtënat kanë qënë pak më tutje nga banesa e jonë”-ka thënë bashkëshortja e prokurorit. Ajo që dyshohet për këtë ngjarje ende nuk është shumë e qartë për forcat e policisë. Gjithsesi nga hetimet e para dyshohet se mund të jetë qëlluar në ajër por nuk përjashtohet mundësia e shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve të ndryshme. Policia ka kontrolluar banesën nga ku është qëlluar por pas të shtënave ajo familje është larguar nga aty dhe ende nuk është kthyer. Uniformat blu pistë kryesore hetimi kanë kryefamiljarin e kësaj banese në lagjen “Qafë Hardhi” i cili dyshohet se ka qëlluar me kallashnikov. Policia po punon për ndalimin e tij dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Artikulli paraprakSHKODËR, TË SHTËNA ME ARMË ZJARRI NË LAGJEN “QAFË HARDHI”
Artikulli tjetërLIVING – 13.02.2016