Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Pukë.
Policia ka njoftuar se ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim. Mësohet se bëhet fjalë një 26-vjeçarin, i cili rreth orës 00:20, në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz ka qëlluar me armë në ajër. Në njoftimin e Policisë, nuk specifikohet se ngjarja ka motive politike.
“Qëlloi në mesnatë, me armë zjarri në ajër nga automjeti, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin. Vijon puna intensive për kapjen e 26-vjeçarit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë – Fushë-Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë. Vijon puna intensive për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore. Gjithashtu u bë identifikimi dhe shpallja në kërkim dhe e automjetit nga i cili ky shtetas ka qëlluar në ajër, duke qenë në lëvizje. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.