Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të shtunën kryebashkiakët e majtë në qytetin e Shkodrës në kudër të një analize të thelluar për punën e bërë në terren, bëjnë me dije burime pranë qeverisë. Në këtë takim do të jenë edhe një pjesë e kabinetit qeveritar, ministrat dhe zv/ministrat, si dhe drejtuesit politik të qarqeve për analizën e punës në kuadër të rienergjizimit të partisë. Takimi do të jetë vetëm një ditë, ndërsa javën e ardhshme Rama ka thirrur edhe Asamblenë e Partisë Socialiste e cila do të mbahet në datë 16 mars në qytetin e Durrësit. Kjo është një tjetër mbledhje e qeverisë ”Rama 3”, pas asaj që u mbajt në muajin janar. Zgjedhjet e përgjithshme të 2025 po afrojnë, ndaj dhe PS ka ndezur motorrët.

Kështu Kryeministri Rama pritet të mbledhë në fundjavë për një analizë të thelluar kabinetin qeveritar, por edhe drejtuesit politikë dhe krerët socialistë të bashkive. Analiza do të shërbejë për të verifikuar të gjitha problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por edhe për një raportim të plotë e të detajuar të punës organizative në Partinë Socialiste. Kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve do të mblidhen në Shkodër, ndërsa pritet që ata të diskutojnë me kryeministrin Rama përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar që u mbajt në Shëngjin në janar.

Takimi do të zhvillohet plotësisht me dyer të mbyllura ndërsa përpara nisjes së punimeve të ndara në sesione të ndryshme diskutimesh mund të ketë ndonjë deklaratë të kreut të qeverisë ose në fund të mbledhjeve por kjo nuk është konfirmuar ende. Ndërkohë shefi i ekzekutivit ishte në Shkodër pak ditë më parë por në një vizitë private sëbashku me familjen e tij teksa mori pjesë në festimet e Karnavaleve.

Artikulli paraprakLIGJ I VJETËR I PARTIVE POLITIKE, KËRKOHET NDRYSHIM
Artikulli tjetërPROMOVOHET LIBRI “KOMPLOTI” I BEN BLUSHIT