Vllaznia vijon përgatitjet intensive për startin e Superiores. Stafi teknik, me në krye trajnerin Thomas Brdariç, prej javësh kanë vendosur që futbollistët të mos e ulin ritmin, teksa çdo ditë po zhvillohen nga dy seanca stërvitore. Ndërkohë që, për kuqeblutë nuk kanë munguar as miqësoret gjatë kësaj periudhe. Pas atyre me Burrelin dhe Teutën, drejtuesit e Vllaznisë kanë planifikuar edhe një tjetër ndeshje miqësore, që do të jetë e fundit para startit të kampionatit. Testin e rradhës, shkodranët kanë vendosur që ta zhvillojnë sërish në stadiumin e tyre në “Loro Boriçi” dhe këtë herë, përballja mendohet të jetë ndaj ekipit të Laçit.
Kjo ndeshje është programuar të luhet ditën e shtunë, në orën 18:00. Trajneri Thomas Brdariç do të ketë mundësinë të shikojë më mirë gjendjen e futbollistëve pas javësh të tëra stërvitje, si edhe për të vendosur se cilët do të jenë ata që do ta nisin si titullarë javën e parë kundër Partizanit me 18-gusht, datë kur do të startojë edhe kampionati. Në këtë mënyrë, me ndeshjen ndaj Laçit, Vllaznia pritet ta mbyllë këtu serinë e miqësoreve të saj, teksa në duelet e mëparshme ka fituar 1-0 ndaj Burrelit dhe ka barazuar 3-3 ndaj Teutës.