Në shkolla nuk po zbatohet rregullorja. Kështu është shprehur drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër Brisela Kadija ndërsa thotë se nxënësit janë të prirur të cënojnë privatësinë e njëri-tjetrit dhe stafit pedagogjik. Për të ndalur këtë fenomen, drejtorja Kadija kërkon bashkëpunimin sa më të ngushtë me prindërit.
Drejtorja Kadija pranon se ka patur raste të konflikteve mes nxënësve edhe në shkollat e bashkisë Shkodër, të cilat janë neutralizuar nga oficerët e sigurisë.
Tragjedia e pak ditëve më parë në Tiranë, ku mbeti I vrarë 14- vjeçari Martin Cani ka bërë që drejtuesit e arsimit në Shkodër dhe jo vetëm të shtojnë masat dhe kontrollet në shkolla, po ashtu edhe të forcojnë bashkëpunimin me prindërit për evitimin e rasteve të tilla kaq të rënda.