Mbi 300 familje në 3 fshatra, Bleran, Bardhanjor dhe Rrenc, përkatësisht dy të parët në Njësinë Administrative Rrethina dhe fshati Rrenc pjesë e Njësisë Gur i Zi, mbeten në pritje të premtimeve për rikonstruktimin e 4.8 km rrugë që i lidh me njëri-tjetrin.

Gjergj Dakaj dhe Pal Gështenja janë 2 nga disa përfaqësuesit e banorëve të zonës që në mars të këtij viti iniciuan një protestë duke kërkuar asfaltimin e rrugës. Sot pas 4 muajsh të gjitha dyert e institucioneve mesa duket qëndrojnë të mbyllura për këta banorë.

Sipas banorëve, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, pasi bëri një premtim për rikonstruktimin e kësaj rrugë, nuk i ka pritur për t’u shpjeguar se çfarë ka ndodhur me kërkesat e tyre.

Banorët thonë se nuk do të ndalen. Kërkesat për rikonstruktimin e rrugës do të jenë të vazhdueshme. Ndërhyrjet e vetme në këtë aks rrugor kanë qenë gjatë dimrit, ku me mjete të tonazhit të rëndë bashkia u përpoq të zgjidhte problemet e banorëve.

Megjithatë, vetëm disa javë më pas amortizimi dhe mungesae rrjetit të kanalizimeve e bënë vështirësisht të klaueshme, pikërisht në gjendjen që është sot.

Artikulli paraprakZGJEDHJET, BASHA TAKON SHEFIN E MISIONIT TË OSBE/ODHIR
Artikulli tjetërUJI NË RRETHINA, NJË “DRITË JESHILE” NGA PREFEKTI