Ambasadori i BE-së në vendin tonë Luigi Soreca komentoi debatin e fundit që ka përfshirë politikën për teatrin Kombëtar. Ai tha se nuk është BE-ja ajo që duhet të thotë nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose jo, pasi këtë e kanë përgjegjësi autoritetet shqiptare, por kishte vetëm një kërkesë, respektimin e standardeve europiane për tenderin dhe konkurrencën e lirë.
“Dëshiroj të them se kjo është cështje shumë e rëndësishme edhe është pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare ku janë përfshirë shumë ndjesi edhe interesa. Për këtë arsye është një çështje delikate edhe e politizuar.
Nuk duhet të jemi ne ata që themi nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose jo, këtë e kanë përgjegjësi autoritetet shqiptare. Ashtu sikur e dini edhe ju pozicioni ynë ka qenë i qartë që nga shtatori i vitit të shkuar, BE i ka bërë thirrje qeverisë që të jenë transparent edhe pa qasje diskriminuese në treg.
Ky duhet të jetë parimi që duhet të udhëheqë autoritetet shqiptare, prandaj është lancuar edhe tenderi për më tej. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë kritere të qarta edhe transparente, edhe të ketë një qasje të drejtë per këtë cështje.
Ajo që është e rëndësishme për ne është sundimi i ligjit, procedurat e tenderit duhet të jenë në përputhje me ato të BE-së, mesa di tenderi është i hapur deri në 19 shtator. E rëndësishme është edhe konkurrenca e lirë dhe e drejtë. Elementi më i rëndësishëm për ne është konkurrenca e lirë” tha ai.
I pyetur mbi deklaratën e sekretarit të OSBE-së, Thomas Greminger, Soreca tha se “Kjo është një cështje qe vazhdon që të ketë debat të madh në Shqipëri. Për ne është e rëndësishme shteti i së drejtës. Tenderi është i hapur deri në muajin shtator.
Janë institucionet shqiptare që duhet të marrin vendimin për këtë cështje. Brenda periudhës së tenderimit të sigurohet një konkurrencë e drejtë sipas rregullave. Për ne është e rëndësishme liria e shprehjes së artistëve që ajo të ruhet edhe këtë po bëj. Në mbështesim lirinë e shprehjes së artistëve edhe do të diskutojmë me ta në vijim” tha ai.
Regjisori Robert Budina, pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit i pranishëm në aktivitetin për “Zâ Fest” replikoi duke thënë se nuk është dakord me ambasadorin. “Nuk jam dakord me ju. Qeveria para se të nisë tenderin duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, se kemi gjysmën e popullit të papërfaqësuar. Vazhdoni mbështetjen për artin shqiptar, se është e vetmja mënyrë që Shqipëria të futet në BE” tha ai.
Deklaratat ambasadori i bëri gjatë aktivitetit për edicionin e tretë të “Zâ Fest” në natyrën e mahnitshme të Thethit më 2, 3 dhe 4 gusht. Delegacioni i BE-së në Shqipëri shprehet krenar që do të mbështesë edhe këtë vit “Zâ Fest”, ndërsa ambasadori tha se ky festival është pikërisht mesazhi që dëshiron të përçojë BE-ja në Shqipëri.
“Jam vërtetë shumë i kënaqur që jam këtu përpara jush me Vlashentin për të prezantuar ZA Fest-in. Diskutimet i kemi filluar më parë, ky ZA Fest do të jetë i mrekullueshëm. Në fakt kur erdhi Vlashenti dhe diskutoi me mua, e kuptova menjëherë sa i rëndësishëm do të ishte në lidhje me qasjen e BE-së në Shqipëri.
Mesazhi i ZA Fest-it është pikërisht mesazhi që dëshiron të përçojë BE-ja në Shqipëri, pasi është në përputhje me politikat e BE-së, kulturën, artin dhe zhvillimin e turistit. Ideja është që të bashkojmë njerëzit me kulturën dhe artin, dhe këtë ta bëjmë edhe në veri, qasja e BE vjen këtu me tre fjalë; Rigjallërim, zhvillim dhe ruajtje e kulturës.
Rigjallërimi, e them se me anën e këtij festivali do të rigjallërojmë këto vlera dhe tradita të rëndësishme shqiptare, do të na vijnë përmes përrallave që do të tregojnë artistët ato ditë atje. Pika e dytë ka të bëjë me zhvillimin e zonave malore të Shqipërisë, ti ndihmojmë të arrijnë potencialin e tyre. Kjo inciativë është shumë e rëndësishme. Ne dëshirojmë të shkojmë përtej kufijve, kemi një projekt ndërkufitar me Kosovën, që këto cështje ti cojmë jo vetëm në Kosovë, por edhe vendet e tjera” përfundoi ai.