Edhe pse godina e Teatrit “Migjeni” po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, punimet e të cilit pritet të përfundojnë në muajin prill, ky institucion vazhdon të kontribuojë në jetën artistike të qytetit të Shkodrës.
Projekti i fundit i këtij teatri ishte “Dashuritë e George Washingtonit” i cili u shfaq mbrëmjen e së premtes në qendrën rinore “Arka”. Kjo shfaqje erdhi për spektatorët nën interpretimin e aktoreve Sara Smaja e cila luante rolin e Martës dhe Kristjana Doda në rolin e Silvias, të cilat sollën në skenë njërën prej veprave më të arrira të dramaturgut të njohur kroat Miro Garvan. Të pranishëm përveç publikut artdashës, ishin edhe njerëz të artit në qytetin tonë dhe aktorë te teatrit që për më shumë se një orë shijuan lojen e mirë aktorale të dy aktoreve të reja. Drama “Dashuritë e Xhorxh Washingtonit” është shkruar në vitin 1988 dhe flet për takimin midis së vesë së Washingtonit Marta dhe të dashurës së tij Silvia Carver. Ky është takimi i tyre i pare ku i tregojnë njëra-tjetrës të vërtetën duke ndërtuar kështu një debat me karakter të fortë. Kjo vepër është përkthyer në shumë gjuhë evropiane, ndërsa për vënien në skenë e përktheu Rudi Erebara. Ndërkohë që pas suksesit të arritur në Shkodër, do të jetë publiku kryeqytetas ai që do të ketë mundësinë ta shijoje këtë shfaqje, pasi javën e ardhshme do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.
/ Star Plus TV /