Pas zyrtarizimit mbrëmjen e së shtunës nga ana e klubit, drejtori i ri i Vllaznisë, Tefik Osmani ishte i pranishëm në stërvitjen e parë të skuadrës paraditen e së hënës. Tashmë, drejtori ka filluar menjëherë në këtë mënyrë zyrtarisht nga puna e tij tek Vllaznia, me Osmanin që debutimin në një ndeshje zyrtare në detyrën e re do ta bëjë në ndeshjen e rradhës së kampionatit ndaj Laçit që do të luhet të premten. Drejtori i ri i Vllaznisë e ndoqi të gjithë seancën stërvitore, teksa para fillimit të saj pati edhe një diskutim me skuadrën kuqeblu. Osmani e vëzhgoi me kujdes të gjithë stërvitjen e Vllaznisë, duke komunikuar madje me secilin prej futbollistëve.
Drejtori i ri e ka mëse të qartë edhe nevojën, ku duhet ndërhyrë në merkato dhe pritet të nisë menjëherë punën për të “piketuar” afrimet e para të janarit. Ndërkohë, sa i takon kampionatit, për Vllazninë kundërshtari i rradhës do të jetë Laçi, ekip ndaj të cilit është humbur dueli i fazës së parë me rezultatin 2-1. Shkodranët nisën këtë të hënë javën anti-Laçi, ku stërvitjes së zakonshme patjetër që gjatë këtyre ditëve do t’i shtohet edhe një analizë e detajuar e stafit teknik për rivalin e rradhës.
Në ndeshjen me Laçin, kuqeblutë do të kenë një grup më të plotë, ku problemet fizike për Malën dhe Hakajn duket se janë lënë pas dhe dy futbollistët pritet të jenë në formacionin e skuadrës. Poashtu, sinjale pozitive ka dhënë edhe sulmuesi Bruno Gomes, i cili poashtu ka lënë pas problemet fizike dhe gjatë këtyre ditëve ka treguar një formë të shkëlqyer në ndeshjet brenda grupit. Në fakt, braziliani mund të jetë në fushë si titullar ndaj Laçit, kjo edhe pas mungesës së Balajt për shkak kartonash. Ndeshja mes Vllaznisë dhe Laçit do të luhet ditën e premte në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 17:00.