Bryan Johnson ka kaluar një tjetër fundjavë në spital për kontroll shëndetësor. “Të shtunën, sonografi mati… kyçet e këmbëve, gjunjët, ijet, shpatullat dhe bërrylat e mi, duke vlerësuar se cila është mosha e tendinave dhe ligamenteve të mia”, thotë ai.

Kjo është pjesë e një misioni për të matur me kujdes të gjitha organet e trupit, në mënyrë që të vërehet nëse dhe në çfarë mase, jetesa e tij e shëndetshme, po i ripërtërin ato.

Johnson, sipërmarrës teknologjik në Kaliforni, thotë se i është nënshtruar më shumë se 300 testeve të llojeve të ndryshme për këtë qëllim. Ai madje duhej të bënte dhe një ekzaminim për të kontrolluar në mos kishte dëmtime në arterie nga sasia e madhe e gjakut që i ishte marrë për analizat e tjera.

Dieta e tij përcaktohet tërësisht nga testet që vërejnë sesi trupi i tij reagon ndaj rreth 150 ushqimeve të ndryshme. “Mendja ime nuk vendos kurrë se çfarë duhet të ha”, thotë ai. Vakti kryesor çdo ditë është i njëjti, mish me perime të gjelbra, duke mos harruar orët e plota të gjumit, stërvitjen dhe regjimin e rreptë të meditimit.

Zoti Johnson mendon se ky stil jetese tashmë tetëmujor, e ka rinuar trupin e tij me pesë vjet. Sido që të jetë, ai me siguri po i shtyn kufijtë e asaj që revista Wired e quajti në vitin 2007, “vetja sasiore”: pra, grumbullimi dhe analizimi i përpiktë i të dhënave rreth trupit të njeriut dhe stilit të jetesës, për të arritur një shëndet sa më optimal.

Matjet sistematike të veçorive fizike të njerëzve dhe të dhënat mbi sjelljen e tyre, u përhapën me Iluminizmin dhe zhvillimin e statistikave.

Në pjesën më të madhe, ato përdoreshin për të kuptuar dhe për të kontrolluar popullatat, duke i organizuar ato në klasa dhe për të kërkuar të sëmurët e ndryshëm të konsideruar “inferiorë”, në mënyrë që t’i veçonin ose t’i ndëshkonin. Ajo çka bie në sy në versionin modern të “vetes sasiore”, është theksi mbi individualizmin.

Teknologjia e vendosur në kyçet e dorës

Teksa po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, teknologjia e vendosur në kyçet e dorës, e quajtur kolektivisht “e mbajtur me vete” – po mat gjithnjë e më shumë aspekte të jetës së përdoruesve, me saktësi dhe delikatesë. Një Apple Watch mbledh me miliona të dhëna në ditë. Njerëzit po e shohin veten në mënyra të reja dhe po gjejnë metoda të tjera për të vepruar sipas asaj që mësojnë. Efekti në shëndet dhe stilin e jetesës, ka të ngjarë të jetë i thellë.

Natasha Schüll, antropologe kulturore në Universitetin e Nju Jorkut, e cila po shkruan një libër me titull, “Keeping Track”, që flet për lëvizjen “vetja sasiore”, filloi të merrte pjesë anonimisht në takimet e përkrahësve të kësaj lëvizjeje, rreth vitit 2011.

Pjesëmarrësit asokohe ishin “të pasionuar pas teknologjisë”, dhe ishin kryesisht burra, të cilët kishin mbledhur të dhëna për veten dhe ndanin me të tjerët atë që kishin mësuar. Megjithatë, së shpejti, thotë doktor Schüll, filluan të shfaqen edhe të tjerë: njerëz që uleshin mbrapa në heshtje dhe mbanin shënime.

Këta ishin sipërmarrës që donin të kthenin atë që mësonin nga këto takime, në produkte konsumi: aplikacione dhe pajisje që përdorin të dhëna të tilla në mënyra të ndryshme.

Deri në vitin 2015, kur Apple prezantoi orën e parë inteligjente, gjurmuesit e fitnesit Fitb ishin tashmë në shitje për gjashtë vjet dhe kishin në treg më shumë se 500 pajisje të lidhura me shëndetin. Shitjet e orëve inteligjente dhe gjurmuesve të fitnesit arritën në 8 miliardë dollarë, sipas firmës kërkimore CCS Insight. Deri në vitin 2021, 29 miliardë dollarë u shpenzuan globalisht për mallra sportive.

Në Amerikë, orët inteligjente ose “smartwatch”, po përhapen po aq shpejt sa telefonat celularë të hershëm (shih grafikun 1). Në vitin 2021, rreth një në katër amerikanë zotëronte një orë inteligjente ose gjurmues fitnesi. Shkalla është e ngjashme në vende europiane si Britania e Madhe dhe Finlanda.

Numri i transportuar në Amerikën e Veriut është dyfishuar nga viti 2015 në vitin 2021. Në Europën Perëndimore dhe Kinë, është trefishuar (shih grafikun 2).

Në vitin 2019, Apple shiti më shumë orë se e gjithë industria zvicerane e orëve. Rreth 400 milionë pajisje në vit (nga të gjitha markat) pritet të shiten globalisht deri në vitin 2026, nga 200 milionë në vitin 2020.

Hendeku po zbehet

Prej kohësh, ka pasur një hendek midis pjesëve të shoqërive dhe ekonomive perëndimore që kujdesen për njerëzit kur janë të sëmurë dhe pjesëve që i ndihmojnë ata të qëndrojnë të shëndetshëm. Pajisjet e veshura në trup – dhe teknologjitë që ato mundësojnë – kanë filluar ta kapërcejnë këtë ndarje në dy mënyra.

Nga njëra anë, ato po i bëjnë njerëzit më të ndërgjegjshëm nga ana mjekësore, duke vrojtuar edhe gjëra të tilla si rrahjet e zemrës gjatë natës. Nga ana tjetër, ato po sjellin një ndryshim në ekuilibrin e përgjegjësisë midis trajtimit mjekësor të ofruar nga mjekët dhe përpjekjeve të pacientëve për të përmirësuar shëndetin.

Pandemia Covid-19 e përshpejtoi procesin. Pajisjet e veshura në trup hynë në jetën e më shumë njerëzve dhe morën role të reja. Me palestrat e mbyllura, ushtrimet fizike u zhvendosën jashtë dhe shumë njerëz i blenë ato për herë të parë, për të mbajtur shënim se sa shumë ecnin, vraponin dhe pedalonin.

Njëkohësisht, shumë konsumatorë filluan t’i shihnin këto pajisje si gjurmuese të zonave specifike të shëndetit. Para Covid-19, pajisjet e veshura në trup, konsideroheshin si “mjete të panevojshme”, thotë Ranjit Atwal nga Gartner, firmë kërkimore.

Njerëzit i blinin pa ndonjë arsye të veçantë, i mbanin për një kohë të shkurtër dhe i vendosnin më pas në një sirtar. Asokohe, nuk dihej nëse tregu për pajisje të tilla do të maturohej. Pandemia e ndryshoi këtë sepse shumë njerëz duhej të monitoroheshin në shtëpi për arsye shëndetësore.

Për më tepër, njerëzit janë mësuar më shumë të kenë ndihmën e teknologjisë për monitorimin dhe menaxhimin e jetës së tyre. Asistentët e Inteligjencës Artificiale si Siri dhe Alexa, nuk janë më një risi e përdorur nga një pakicë e guximshme e teknologjisë.

Gjërat që pasqyrojnë se sa shumë ju njeh një pajisje robotike, si listat e personalizuara të këngëve, kanë filluar të duken gjithnjë e më pak rrëqethëse dhe të pazakonta.

Përfitimet janë të dukshme

Një përmbledhje e më shumë se 120 studimeve të gjurmuesve të aktivitetit personal në Danimarkë, që përfshinte njerëz të shëndetshëm dhe me probleme të ndryshme shëndetësore, arriti në përfundimin se mbajtja e këtyre pajisjeve, i nxit njerëzit që të lëvizin më shumë.

Përmirësimet janë modeste: rreth 1200 hapa më shumë (rreth 800 metra ose gjysmë milje) çdo ditë, 49 minuta më shumë ushtrime intensive në javë dhe 10 minuta më pak kohë ulur në ditë. Por veprimtaria fizike është aq e rëndësishme, saqë edhe ndryshimet e vogla mund të kenë shumë rëndësi. Studimet që kanë vrojtuar njerëzit për 4-10 vjet, kanë zbuluar se 1000 hapa shtesë në ditë ulin vdekshmërinë nga 56% në 36%.

Rezultate të tilla i kanë bindur disa sigurues shëndetësorë amerikanë që t’u japin klientëve të tyre gjurmues fitnesi dhe orë inteligjente. UnitedHealthcare, një nga më të mëdhenjtë, thotë se 59% e përdoruesve përdorin pajisje të tilla për të paktën gjashtë muaj. Për krahasim, anëtarësimi në një palestër mesatarisht zgjat dy ose tre muaj.

Mjekët në Amerikë dhe Europë kanë nisur të mësohen me idenë se pajisjet e veshura në trup mund t’i ndihmojnë ata të kujdesen më mirë për pacientët. Sistemet e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt fitimit, si ato amerikane, i shohin si tepër efikase këto pajisje.

Për shembull, në vend që t’i pyesin pacientët nëse po flenë më mirë, mjekët thjesht mund të kërkojnë një tabelë nga një pajisje inteligjente e veshur në trup. Disa grupe spitalore në Amerikë që kujdesen për miliona pacientë, po krijojnë sisteme që i bëjnë pajisjet e veshura në trup një pjesë të pandërprerë të kujdesit klinik.

Qytetarët e Finlandës mund t’i lidhin pajisjet dhe pajisjet e tjera shëndetësore personale (si peshoret inteligjente) me të dhënat e tyre kombëtare shëndetësore.

Analistët e tregut presin që, në pesë vitet e ardhshme, tregu i pajisjeve inteligjente të veshura në trup, do të ndahet në dy kategori: pajisje të kategorisë mjekësore, të miratuara nga rregullatorët për njerëzit me sëmundje kronike që kanë nevojë për gjurmim të kujdesshëm dhe të saktë, dhe pajisje me karakteristika më pak të sofistikuara për njerëz të shëndetshëm, të cilët duan të kujdesen për mirëqenien dhe të jenë në gjendje t’i dallojnë problemet shëndetësore herët.

Prodhuesit kryesorë pritet të ofrojnë pajisje gjithnjë e më specifike për grupe si fëmijët dhe të moshuarit.

Ana cilësore

Teknologjitë po i hapin rrugën këtij transformimi të kujdesit shëndetësor. Sensorët dhe algoritmet po bëhen më të sofistikuara, duke i kthyer pajisjet inteligjente të veshura në trup, në pajisje diagnostikuese.

Aplikacionet e mbështetura në Inteligjencën Artificiale, të ndërtuara mbi të dhënat që vijnë nga kyçet e duarve të njerëzve, po japin këshilla të personalizuara se çfarë duhet të hani për drekë, ose kur duhet të dilni për shëtitje. Aplikacionet interaktive të mbështetura nga provat klinike po përshkruhen si trajtim për të gjitha llojet e sëmundjeve, ashtu si ilaçet. Disa prej tyre funksionojnë më mirë se terapitë konvencionale që trajtojnë të njëjtin problem.

Pajisjet inteligjente të veshura në trup po ndryshojnë edhe mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe provat klinike për ilaçe të reja, duke treguar se si njerëzit e përjetojnë një sëmundje, ose një trajtim në jetën e përditshme. Ato po bëjnë të mundur, për herë të parë, matjen e temperaturës ose matjen e pulsit të një popullate dhe jo të një individi.

Ka shumë probleme për t’u zgjidhur. Kryesorët janë shqetësimet për privatësinë dhe diskriminimin, mbështetur në të dhënat shëndetësore nga pajisje të tilla. Rregullatorët po përpiqen të arrijnë një ekuilibër midis mbrojtjes së konsumatorëve dhe mosshtypjes së inovacionit, duke mësuar njëkohësisht se si duhet të rregullojnë ekosistemin e shëndetit dixhital.

Por nuk ka shumë dyshim se përfitimet nga pajisjet inteligjente të veshura në trup, do të jenë të mëdha, edhe nëse kujdesi dixhital që ato mundësojnë, ka thjesht efekt plotësues ndaj trajtimeve mjekësore konvencionale. Rreth 80% e barrës së sëmundjeve në Amerikë shkaktohet nga faktorët e stilit të jetesës dhe kjo vlen edhe për shumë vende më të varfra. Ilaçet funksionojnë me përpikëri vetëm në 30-50% të njerëzve.

Për shumë sëmundje, nuk ka fare terapi. Kujdesi shëndetësor dixhital mund të përballet me shumë nga këto probleme. Për të vlerësuar atë që mund të arrijë, vendi më i mirë për të filluar është teknologjia që qëndron pas sensorëve të veshur./ Përktheu: Lira Muça

E ardhmja

Analistët e tregut presin që, në pesë vitet e ardhshme, tregu i pajisjeve inteligjente të veshura në trup, do të ndahet në dy kategori: pajisje të kategorisë mjekësore, të miratuara nga rregullatorët për njerëzit me sëmundje kronike që kanë nevojë për gjurmim të kujdesshëm dhe të saktë, dhe pajisje me karakteristika më pak të sofistikuara për njerëz të shëndetshëm, të cilët duan të kujdesen për mirëqenien dhe të jenë në gjendje t’i dallojnë problemet shëndetësore herët. Prodhuesit kryesorë pritet të ofrojnë pajisje gjithnjë e më specifike për grupe si fëmijët dhe të moshuarit.
/Monitor

Artikulli paraprakMATURA SHTETËRORE/ MBI 33 MIJË MATURANTË I NËNSHTROHEN SOT PROVIMIT TË GJUHËS SHQIPE DHE LETËRSISË
Artikulli tjetërALTIN DUMANI ZGJIDHET ZËVENDËSDREJTORI I PROKURORISË SË POSAÇME (SPAK)