Teksasi, pasojat e uraganit “Harvey”, 5 viktima

Hjustoni po përballet me përmbytje katastrofike që kane shkaktuar 5 të vdekur deri më tani. Më shumë se 1000 persona janë shpëtuar nga vërshimi i furishëm i ujërave në pjesë të ndryshme të qytetit të katërt më të populluar të SHBA. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, i druhet rrezikut të përmbytjeve dhe rënies së gati 100 centimetrave të tjera shi, përpara se “Harvey” të nisë të qetësohet nga mesi i javës. Nga sa pohon Abbott, 50 cm shi kanë rënë tashmë në qytetet e Houstonit dhe Corpus Christit. Erërat e dhunshme po vështirësojnë përpjekjet e shpëtimit, ndërsa mijëra vetë kanë mbetur pa energji elektrike. Vdekja e parë e konfirmuar ishte në qytetin Rockport. Rreth 4.500 të burgosur nga burgjet në jug të Houstonit, qyteti i katërt më i madh i Shteteve të Bashkuara, por evakuohen në institucione të tjera riedukimi në lindje të Teksasit, për shkak se niveli i lumit Brazos aty pranë është duke u rritur ndjeshëm. Harvey nisi si uragan i fuqishëm i kategorisë së katërt, i pari që prekte tokën amerikane në 12 vite, për të humbur më pas të shtunën një pjesë të forcës së tij, duke marrë formën e një stuhije tropikale. Për Abbott, rreziku i saj megjithatë nuk duhet nënvlerësuar. Ai përmendi mundësinë e vërshimeve dramatike dhe e zgjeroi gjendjen e emergjencës, nga 30 konte të shtetit në 50 të tilla. 1.800 trupa ushtarake janë mobilizuar për të dhënë ndihmesën e tyre në operacionet e shpëtimit e ato të rindërtimit. Shërbimi meteorologjik kombëtar paralajmëroi se stuhia është kaq e egër, sa shumë zona të prekura prej saj mund të bëhen të pabanueshme për muaj të tërë.

Artikulli paraprakZJARR NË MALIN E SOPOTIT, ZJARRFIKSET S’MUND TË NDËRHYJNË
Artikulli tjetërMERR NJË TJETËR ÇMIM MAJLINDJA KELMENDI NGA FEDERATA NDËRKOMBËTARE E XHUDOS