Meteorologët parashikojnë që pjesë të Europës të kapin shifra rekord, duke shënuar temperaturat më të larta të të gjitha kohërave.
Ekspertët parashikojnë që në disa pjesë të Spanjës dhe Portugalisë temperaturat të variojnë nga 40 deri në 48 gradë Celcius në ditët në vijim.
Pjesë të jugperëndimit të Francës pritet gjithashtu që të preken nga vala e të nxehtit ekstrem, ashtu sikurse edhe në Britaninë e Madhe.
Të dhënat bënë që autoritetet spanjolle të lëshojnë alarmin e parë për 2018-n. Ata i bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë larg diellit dhe të pijnë sa më shumë ujë. Pritet që 27 nga 50 provinca në vend të preken nga i nxehti ekstrem, duke nisur nga e enjtja.
“Temperaturat nëpër Iberi mund të thyejnë rekordin e të gjitha kohërave në Kontinentin Europian, duke shkuar në 48 gradë Celcius”, tha në një postim në Twitter, Zyra Meteorologjike.
Autoritetet portugeze kanë mobilizuar 11 mijë vullnetarë zjarrfikës, policë dhe ushtarë për të kontrolluar operacionet në një situatë të mundshme zjarri.
Lajmi i mirë është që pas ditës së diel temperaturat pritet të ulen.
Edhe autoritetet në Shqipëri kanë paralajmëruar një javë të nxehtë, me temperatura mbi 36°C thuajse në të gjithë ultësirën perëndimore. Në zona specifike, pritet që temperaturat të ngjiten në 39°C .