Vau i Dejës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Posedonin fara cannabisi dhe sasi kokaine, me qëllim shitjen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 1000 fara cannabisi, kokaina e ndarë në doza, automjeti me të cilin lëviznin të arrestuarit dhe 3 celularë.

Në vijim të kontrolleve të bazuara në inteligjencën policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në fshatin Kryebushat, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjer shtetasin K. K.

Nga kontrollet fizike ndaj 2 shtetasve dhe në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një pako me 1000 fara cannabisi dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të ndarë në doza, që posedoheshin nga këta shtetas, me qëllim shitjen.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit F. M., 26 vjeç, banues në fshatin Bogë dhe K. K., 37 vjeç, banues në Shkodër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Artikulli paraprakQARKU I SHKODRËS MBULOHET NGA BORA! BORËPASTRUESET NË TERREN PËR TË SIGURUAR QARKULLIM NË AKSIN BOGË-THETH
Artikulli tjetërMINISTRI I BRENDSHËM: NDRYSHIME NË LIGJIN PËR POLICINË E SHTETIT, DRAFTI PËR PAK DITË NË KONSULTIM PUBLIK