Tensione dhe tone të larta kanë shoqëruar seancën plenare. Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancë por jo për shumë gjatë. Ai ka deklaruar se do ia lërë fjalën kreut të PD-së pasi vetë do vazhdojë dialogun me studentët.
Por sapo ka thënë këto fjalë Rama është sulmuar nga deputeti i PD Endri Hasa, i cili ka tentuar ta qëllojë kryeministrin me vezë. Edhe deputeti tjetër i PD Gent Strazimiri është çuar në këmbë por ka ndërhyrë menjëherë garda.
Kryeministri ka kërkuar që deputeti të nxirret jashtë, ndërsa kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e ka përjashtuar nga seanca dhe e ka ndërprerë seancën.
Pas disa minutave pushim, seanca ka rinisur sërish por deputeti i PD Endri Hasa nuk ka pranuar të lërë Kuvendin, çka ka detyruar Ruçin të ndërpresë sërish seancën.
Por edhe pas kësaj, deputeti Hasa nuk ka lëvizur nga salla, ndaj Ruçi ka ndërprerë për të tretën herë seancën dhe ka njoftuar mbledhjen e Byrosë për të vendosur për deputetin e PD.
Kryeministri Edi Rama ironizoi me incidentin në Parlament, ku deputeti Endri Hasa tentoi ta godiste me vezë.
“Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve, opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore, po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve”, shkruan Rama në Twitter.
Më herët kryetari i PD-së Lulzim Basha ka folur me tone të larta dhe tha se opozita është rikthyer për studentë.