Tre tifozë janë vënë në pranga pasi u janë gjetur sende të ndaluara, si bomba molotov e shkopinj, ndërsa gjatë arrestimit kanë kundërshtuar edhe punonjësit e policisë duke përdorur sende të forta.

Përveç 3 të arrestuarve edhe 3 tifozë të tjerë janë vënë nën hetim, për prishje të rendit dhe qetësisë publike gjatë ndeshjes së basketbollit midis ekipeve Tirana-Partizani. Në pranga janë vënë: Bledar Beca, 33 vjeç, banues në Tiranë Agron Meçanaj, 38 vjeç, banues në Tiranë. Aden Xh., 18 vjeç, banues në Tiranë , Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi: Më datë 09.12.2017, rreth orës 17.30, në rruga ”Dritan Hoxha”, para fillimit të ndeshjes së basketbollit e cila do zhvillohej në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ndërmjet ekipeve Tirana – Partizani, këta persona me disa persona të tjerë ende të pa identifikuar, jashtë ambjenteteve të Pallatit të Sportit, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë së forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e tjera të Komisariateve të Policisë Nr 2 dhe 3 duke i goditur me sende të forta, gurë, drunj e shkopinj bejzbolli. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave të tjera të Policisë, bëri të mundur neutralizimin e veprimeve të mëtejshme nga ana e tifozëve kundrejt policisë si dhe më pas arrestimin e tre prej tyre të cilët qëlluan punonjësit e policisë me sende të forta.

Motivi i kësaj situate ka qenë se punonjësit e policisë kishin marrë detyrë që atë grup tifozësh prej afro 130 personash ta zhvendosnin nga aty ku ishin pozicionuar pasi ishin burim konflikti dhe ishin përgatitur të prodhonin konflikt me ekipin kundërshtar, atë të Tiranës. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe arrestimin edhe të personave të tjetër që kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin H.K, I.S dhe TH.N, vjeç 29, 23 e 20, banues në Tiranë, pasi në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes së basketbollit Tirana-Partizani, kanë prishur rendin dhe qetësinë publike. Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta, të kryera në bashkëpunim”.

Artikulli paraprakGJENDET I DJEGUR NJE PUNONJËS I UJËSJELLËSIT
Artikulli tjetërGJENDET NË NJË KANAL TRUPI I PAJETË I NJË 62-VJEÇARI