Deputetët e PD dhe LSI kanë bllokuar foltoren e Kuvendit pas fjalimit të Lulzim Bashës, për të pezulluar punimet e seancës, deri në përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga punimet.

Basha foli për protestën në Kukës, arrestimin e 11 kuksianëve për aktet në “Rrugën e Kombit” si dhe për fyerjet e Ramës, sipas tij, gjatë seancës dy javë më parë.

“Ky parlament nuk do të vazhdojë asnjë sekond pa e nxjerrë nga salla kryeministrin Rama. Ndale seancën menjëherë. Përjashtoje! Nuk ka për të pasur procedim normal pa larguar njeriun që ka ofenduar të gjithë shqiptarët”, u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha.

Pas fjalimit të Bashës, deputetët e opozitës rrethuan foltoren. Në këtë moment, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndërpreu punimet e seancës parlamentare, duke u shprehur se do rinisin pasi të Kuvend të jetë vendosur rregulli.

Opozita me pankarta në duar
Pas një mbledhjeje të shkurtër të Bashës me grupin parlamentar të PD, opozita ka shkuar në Parlament me pankarta në duar, ku shkruhet: ‘Liro kuksianët’, ‘Arresto kriminelët’.

Basha ka marrë fjalën dhe i ka kërkuar Gramoz Ruçit të mbyllë seancën dhe të përjashtojë Ramën, ndërsa demokratët janë ngritur në këmbë dhe kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

“Arrestimi i 11 kuksianëve është turp, mos i harroni ata. Indiferenca, heshtja, frika hezitimi ynë janë fuqia e plaçkitësve si Edi Rama”

Seanca ka nisur me raportin vjetor të KQZ, që po prezantohet nga kreu i KQZ, Klement Zguri. Zguri i ka bërë thirrje Parlamentit të themelojë epokën e administrimit të zgjedhjeve.

Nga foltorja e Kuvendit, Zguri deklaroi se ka ardhur koha për një reformë themelore në procesin e zgjedhjeve.

“Ekzistenca e zgjedhëse të dyshuar si të dubluar. Ekzistenca e zgjedhësve pa kontest banimi, që kanë emigruar, mospërfshirja në votim e të dënuarve. Shqetësimet që vijnë nga eksperienca e 2017 të na ndihmojnë për në vazhdim.

Kuvendi të na ndriçojë rrugën me rezolutën që do të miratojë. Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë teknike. Propozimi i komisionerëve nga partitë politike, ndërrimi i tyre para apo gjatë procesit të numërimit ka ndikuar direkt në procesin e administrimit.

Askush nuk duhet të nda pengojë të bëjmë një administratë të aftë. Administrimit i zgjedhjeve kërkon një reformë të tërë, i takon këtij Parlamenti të themelojë epokën e administrimit”

Një ditë më parë, Lulzim Basha mblodhi grupi parlamentar të PD, ku njoftoi se demokratët do të jenë në Kuvend, por seanca nuk do të jetë normale, duke nënkuptuar me këtë një seancë të trazuar dhe me përplasje.

Kohët e fundit, politika është përfshirë në debate të ashpra, shoqëruar dhe me protesta nga opozita, për shkak të taksës në Rrugën e Kombit dhe vendosjen e TVSH te biznesi i vogël.

Këto dy tema të nxehta pritet të bëhen dhe sot temë debatesh në sallën e Kuvendit, ku demokratët kanë paralajmëruar se nuk do ta lënë kryeministrin Rama të flasë, duke kërkuar largimin e tij.

Artikulli paraprakFLET DREJTORI I TATIMEVE SHKODËR: TVSH-ja NUK E RËNDON BIZNESIN E VOGËL
Artikulli tjetërTAHIRI RIKTHEHET NË KUVEND PAS 6 MUAJSH, DO MBAJË FJALIM 20 MINUTA