Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Prishtinë, ku po zhvillon një vizitë një ditore, ndërsa u prit në orën 09:00 me ceremoni zyrtare nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Pas këndimit të himneve të të dyja shteteve, dy kryeministrat u takuan me delegacionet përkatëse.

Në vizitën e tij në Kosovë, Rama u shoqërua nga një pjesë e kabinetit të tij, Taulant Balla, Elisa Spiropali, Edona Bilali, Bledi Çuçi, Evis Kushi, Mirela Kumbaro, Elva Margariti dhe Eduard Shalsi.

Rama mbërriti në orën 08:30 në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ku u prit nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Vizita e Ramës në Kosovë vjen pas ftesës së kryeministrit Albin Kurti. Mes dy krerëve të qeverive pritet të ketë diskutime edhe për iniciativat rajonale si ‘Open Balkan’ në të cilat Kosova ka refuzuar të marrë pjesë.

Pas takimit, Kurti dhe Rama, do të mbajnë një konferencë për mediat në orën 10:20. Mes dy kryeministrave pritet të diskutohet po ashtu edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe heqjen e barrierave mes shqiptarëve. Lufta ndaj pandemisë së COVID 19, pritet të marrë vëmendje, ndërsa Kurti ka shprehur më herët edhe mundësin e luftës së korrupsionit në të dy shtete.

Rama do të takohet edhe me tre liderët e opozitës: Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama do të dekorojë edhe akademikun, Rexhep Qosja. Pas formimit të qeverisë së re, kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, me ftesë të kryeministrit Albin Kurti.

Artikulli paraprakCOVID-19, MBI 500 MIJË QYTETARË KANË MARRË DY DOZA TË VAKSINËS NË KOSOVË
Artikulli tjetërTËRMETI 5.8 BALLË GODET GREQINË, KU ISHTE EPIQENDRA