Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, ka reaguar ndaj kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, në lidhje me barrikadat dhe tensionet në veri të Kosovës. Ischinger tha të shtunën se është i shumë i shqetësuar me tensionet e vazhdueshme në veri dhe se Bashkimi Evropian duhet të marrë urgjentisht rol vendimtar. Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Ai ka pyetur në postim në Tëitter nëse Serbisë i është bërë me dije se nxitja e dhunës ndaj një shteti fqinj, Kosovës, do ta bëjë të pamundur vazhdimin e procesit drejt anëtarësimit në BE.

E ndaj postimit të Ischingerit reagoi Bërnabiç. Ajo tha se serbët në veri po qëndrojnë në barrikada për shkak që po kërkojnë që të implementohet Marrëveshja e Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, dhe për shkak të arrestimit “sipas dëshirës dhe mbajtjes peng” të ish-policit serb, Dejan Pantiç. Por, Ischingeri i tha Bërnabiçit se “nuk zgjidhen çështjet duke nxitur dhunë”.

“Ka kërkesa legjitime nga të dyja palët, në fakt. Ajo që nuk është në rregull është adresimi i shqetësimeve të tilla nëpërmjet nxitjes së dhunës dhe trazirave publike. Serbia e di saktësisht se si të veprojë si një fuqi e përgjegjshme! Krishtlindje do të thotë paqe”, ka shkruar ai. Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se pas Krishtlindjes do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim./REL

Artikulli paraprakMASSAFRA: TË MOS PËRDORET KANUNI POR UNGJILLI DHE LIGJI
Artikulli tjetër4 REKORDE QË MESSI MUND TË THYEJË PAS FITORES SË KUPËS SË BOTËS