Teksa tensionit mes Prishtinës dhe Beogradit po përshkallëzohen, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar serbët e Kosovës që të mos bien pre e politikave të presidentit serb Aleksandër Vuçiçit, duke thënë se e ardhmja e tyre është në Kosovë për të jetuar në paqe dhe harmoni. Gjatë një konferencë për shtyp, Haradinaj u shpreh se platforma e luftënxitëse e Vuçiçit të instaluar në veri të Kosovës, është duke kaluar në pikën e kuqe.

“Situata në veri të Kosovë po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar. Platforma luftënxitëse e Vuçiçit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht ti tërheqë njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e cila është përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999”, ka thënë Haradinaj. Po ashtu ai ka thënë se veprimet e pamatura të kryeministrit Albin Kurti, është duke komplikuar situatën.

“Fatkeqësisht as Kurti e as njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejt. Veprimet dhe deklarimet e pamatura të tyre, në vazhdimësi e specifikisht në këtë 3 muaj, veç sa e kanë bërë situatën më të rëndë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, nuk është palë, prandaj edhe nuk mund të konsiderohet si i tillë. Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Washnigtoni e as Brukseli. Ata janë aleatë të paqes e të sigurisë në Kosovë dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese ndaj tyre. E ardhmja e Kosovës është e lidhur përjetësisht me aleatët perëndimorë, posaçërisht me Amerikën”, është shprehur Haradinaj. “Kam një kërkesë edhe për serbët e Kosovës. Të mos bien pre e kalkulimeve politike të askujt, e as të Vuciçit. Të mos bëhen dëm kolateral. E ardhmja e tyre është në Kosovë. është në paqe dhe në harmoni më gjithë të tjerët, prandaj largohuni nga barrikadat”, ka deklaruar ai. Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se perspektiva jonë e përbashkët është njohja e paqja midis nesh dhe kjo nuk arrihet pa ata që na kanë shpëtuar në një kohë

“Përfundimisht, Amerika, Evropa e NATO i kanë shpëtuar popujt e ish- Jugosllavisë, edhe serbët, nga luftërat deri në zhdukje. Plot popuj të ish-Jugosllavisë sot janë në paqen e tyre, të integruar në Evropë, ose në rrugë pa kthim drejt integrimit. Perspektiva jonë e përbashkët është njohja e paqja midis nesh dhe kjo nuk arrihet pa ata që na kanë shpëtuar në një kohë. Kjo nuk arrihet me Rusinë e Putinit. Barrikadat sot janë vetëm interes i Putinit, por jo i Serbëve apo i Shqiptarëve”, është shprehur ish-kryeministri Haradinaj.

Artikulli paraprakS’KA “PRONAR” TË ARSENALIT TE MARTINAJ, PROKURORIA NIS PROÇEDIM PENAL PA AUTOR
Artikulli tjetërWHATSAPP DO TË NDALOJË SË FUNKSIONUARI NË PAJISJET E VJETRA, JA TELEFONAT QË NUK MUND TË PËRDORIN APLIKACIONIN NGA 31 DHJETORI (LISTA)