Katër persona të maskuar kanë tentuar të grabisin një banesë në fshatin Porodinë të Korçës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30, ku autorët hynë në banesën e 38-vjeçarit me iniciale E.D.
Policia thotë se autorët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur, sipas deklarimeve të pronarit të banesës. Gjatë tentativës së grabitjes, ata lënduan lehtë njërin prej pjesëtarëve të familjes dhe më pas u larguan pa marrë asgjë.
Në vendngjarje shkuan forcat policore, të cilat kanë nisur hetimet për tentativën e vjedhjes. Uniformat blu kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.