Ashtu si Alma Arrazi që u mbyt bashkë me tre fëmijët e saj një tjetër nënë me 4 fëmijë tentoi që të bëjë të njëjtën gjë. Një 27 vjeçare nga Shkodra mori 4 fëmijët e mitur dhe tentoi që t’i japë fund jetës bashkë me to në ujërat e lumit Buna. Telefonata e babait të 27 vjeçares ka bërë që vajza e saj dhe 4 fëmijët të shpëtojnë mrekullisht pa u mbytur në ujërat e lumit. Babai telefonoi policinë duke dyshuar se vajza e tij donte të mbytej sëbashku me fëmijët. Patrullat e policisë rrugore të Shkodrës në mënyrë të shpejtë kanë vepruar duke arritur që ta gjejnë në kohë rekord nënën me 4 fëmijët në afërsi të bregut të lumit Buna thuajse gati për t’u hedhur në ujë bashkë me të vegjlit e saj. Policia ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme duke parandaluar një tjetër tragjedi në Shkodër. Policia bën të ditur se njoftimin e kanë marrë rreth orës 14:15 të ditës së sotme dhe në një kohë rekord efektivët e rrugores kanë arritur që ta gjejnë nënën dhe 4 fëmijët përpara se t’i jepnin fund jetës. Mësohet se 27 vjeçarja ndodhej në një proces divorci me bashkëshortin e saj dhe kishte ikur bashkë me fëmijët tek babai i saj. Ndodhur në kushte të vështira jetese me 4 fëmijë dhe në prag divorci me bashkëshortin, 27 vjeçarja tentoi që t’i japë fund jetës në mënyrën më tragjike të mundshme. Kjo shtetase u shoqërua në policinë vendore të Shkodrës duke dhënë dëshminë e saj dhe duke treguar problemet e pragdivorcit të saj dhe kushtet jo shumë të favorshme ekonomike e vetme me 4 fëmijët. Një ngjarje e ngjashme ndodhi në fillim të muajit maj të këtij viti kur shtetasja Alma Arrazi i dha fund jetës bashkë me tre fëmijët e saj në ujërat e lumit Drin ndërsa policia arrestoi bashkëshortin e saj Erdgys Arrazi, i dyshuar për dhunë psikologjike në familje dhe si shkaktar i vetëmbytjes. Ngjarja e Alma Arrazit është ndër më të rëndat në këto 30 vite në Shqipëri ndërsa tentativa e 27 vjeçares për të kryer të njëjtin akt tragjik vetëm 2 muaj e gjysëm më vonë është një këmbanë alarmi. Policia vijon hetimet lidhur më këtë ngjarje të rëndë e cila u parandaluar në kohë përpara se të kthehej në një tjetër tragjedi.