Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka tentuar që të vrasë një të ri. Ngjarja ndodhi në rrugën “Shaban Bardhoshi”.
Raportohet se pas hekurave përfundoi Emra Korteshi, i cili pas një konflikti për motive të dobëta, në Kombinat, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Enrid Ismailaj.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Speed”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, vihet në pranga një 28-vjeçar. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, me të cilën 28-vjeçari tentoi të kryente vrasjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, një shtetas ka qëlluar me armë zjarri drejt një shtetasi tjetër, dhe më pas është larguar, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Speed”.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, brenda pak orësh, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– E. K., 28 vjeç, banues në Kombinat, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi E. K., ditën e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në Kombinat, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. I., 35 vjeç, dhe më pas është larguar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.