Një fouristradë është gjetur e djegur në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skenderbeg” përballë varrezave katolike. Kanë qenë orët e para të mesnatës kur policia ka marrë njoftimin për këtë ngjarje të ndodhur.

Mjeti me targë AA 710 KC është gjetur i djegur kryesisht në pjesën e përparme të saj. Fouristrada ndodhej e parkuar poshtë një pallati në lagjen “Skenderbeg” kur ka ndodhur ngjarja.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se autorët fillimisht kanë tentuar që ta vjedhin atë mjet dhe më pas të largohen bashkë me të. Autorët më parë kanë këputur fijet duke tentuar që ta ndezin fouristradën.

Kanë tentuar disa herë që ta ndezin për të kryer vjedhjen e parashikuar. Nuk ia kanë arritur që ta kryejnë me sukses dhe më pas për të humbur gjurmët e tyre dhe shenjat e gishtave atëherë kanë vendosur që ta djegin thuajse plotësisht.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe inspektorët e repartit zjarrëfikës në Shkodër të cilët kanë konstatuar se pas tentativës me vjedhje makinës i është vënë flaka në pjesën para të saj.

Kanë mjaftuar pak minuta që gjysma e mjetit të shkrumbohet tërësisht. Autorët e kësaj ngjarje janë larguar pa arritur që të identifikohen sepse ngjarja ka ndodhur në orët e vona atëherë kur në rrugë nuk kishte fare lëvizje.

Fouristrada është në pronësi të një personi që më shumë qëndron në Itali. Policia ka mbërritur në vendngjarje duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur.

Vjedhjet e makinave në Shkodër po kthehen sërish në një shqetësim. Sipas statistikave muajt e fundit ka një rritje të vjedhjes së mjeteve kryesisht gjatë orëve të natës kur nuk ka lëvizje. Disa herë policia ka goditur autorët por sërish vjedhja e makinave mbetet një problem në Shkodër.

Artikulli paraprakVRASJA E MEHDI KAVAJËS, DYSHOHET PËR HAKMARRJE
Artikulli tjetërSHKODËR, TENTON TI LARGOHET POLICISË, PËRPLASET ME MURIN