Tentojnë të grabisin bankën, nuk gjejnë para
Një tjetër tentativë për grabitjen e një banke është bërë në Divjakë. Dy persona dyshohet se gjatë natës kanë hapur derën e bankës së nivelit të dytë pranë qëndrës së qytetit të Divjakës. Menjëherë sapo kanë hapur derën ata janë futur në brendësi të saj dhe kanë kërkuar për para. Por nga kontrollet që kanë bërë ata nuk kanë gjetur lekë. Në momentin që janë futur në brendësi të bankës ka rënë alarmi i sigurisë. Kjo ka bërë që autorët të mos qëndrojnë shumë gjatë dhe të largohen me shpejtësi. Burime nga Policia e Divjakës bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:15 minuta të mëngjesit të sotëm. Mësohet se autorët e kanë hapur derën me forcë. Kur ka rënë sinjali Policia është nisur pranë bankës, por nuk ka gjetur aty asnjë prej autorëve. Pak ditë më parë e njëjta tentativë ka ndodhur edhe në Tiranë, ku Nazmi Çaka ka çarë xhamin e derës, është futur në brendësi të bankës, por nuk ka gjetur para. Ai u arrestua vetëm pak ditë pas ngjarjes.