Menaxhimi I mbetjeve urbane dhe inerte në lagjen Tepe nuk gjen zgjidhje. Pavarësisht situatës së krijuar ditët e fundit, mungon ndërgjegjësimi I banorëve të zonës por edhe kompanisë së kontraktuar nga bashkia për pastrimin e plotë të mbetjeve. Në lagjen “Tepe” ndër më të vjetrat e qytetit dhe me një densitet të lartë banorwsh, pamja që të ofrohet lë për të dëshiruar.
Mbeturina të shpërndara në të gjithë rrugën, jo vetëm shëmtojnë pamjen por edhe bëhen shkak për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve. Disa herë në media është bërë publik rasti I depozitimit të këtyre mbeturinave në lagjen “Tepe” por që asnjëherë nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet përgjegjëse. Jashtë kameras, banorët bëjnë me dije se bashkia ka vendosur gjoba për personat e papërgjegjshëm që hedhin mbetjet jashtë kontenierëve, por as kjo formë nuk ka mjaftuar për të ndalur këtë fenomen që jshkaktohet nga vetw ata.
Zgjidhja efikase e këtij problemi kërkon edhe sensibilizimin e komunitetit përreth për dëmet mjedisore që I shkaktohen kësaj zone mjaft të banuar, gjë e cila duket se mungon prej vitesh. Në këtë lagje, qeset plastike, kutitë e kartonit e shumë të tjera të shpërndara në të gjithë sipërfaqen e rrugës të japin një përshtypje tejet negative.
Madje, si zgjidhje afatshkurtër banorët kanë zgjedhur t’I depozitojnë këto mbetje në kanalin e rrugës. Por, pavarësisht se ku është përgjegjësia më e madhe, bashkia duhet të ketë një angazhim maskimal në pastrimin edhe të zonës përreth kontenierëve, si e vetmja mënyrë që banorët të sensibilizohen për dëmin mjedisor që po shkaktojnë çdo ditë.