Tërbuni ka gjetur fitoren e parë në kampionat. Atë e ka arritur ndaj Basanias në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, teksa vendasit triumfuan me rezultatin e pastër 3-0. Në minutën e 15-të, Longe me një roveshatë realizoi një supergol. Dy minuta më vonë, kapiteni Kaçubela futi një top në zonë për Jurgen Gjinin, që e dërgoi atë në rrjetë dhe në këtë mënyrë, pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 2-0 për Tërbunin. Në fillimin e së dytës, Basania kërkon të reagojë dhe i afrohet shumë pranë golit, por nuk arrijnë dot ta dërgojnë topin në rrjetë. Në minutën e 56-të, Kaçubela shënon edhe golin e tretë për skuadrën pukjane. Pas këtij momenti, sërish miqtë mundohen të reagojnë dhe krijojnë disa raste të pastra shënimi, por pa realizuar dot. Në këtë mënyrë, i gjithë takimi u mbyll me fitoren e vendasve 3-0. Pas ndeshjes, kapiteni i Tërbunit, Vildan Kaçubela, u shpreh i lumtur për këtë fitore të arritur.
Tashmë, Tërbuni ngjitet në kuotën e 5-pikëve, ndërsa Basania mbetet me vetëm një pikë në tre javë kampionat.