Tërbuni ka përfunduar pushimet dhe i është rikthyer stërvitjeve pasditën e djeshme. Skuadra pukjane u grumbullua në kompleksin “Zmijani”, ku edhe nisi përgatitjet për sezonin e ri 2023-2024. Në seancën e parë stërvitore, që u drejtua nga trajneri shkodran Altin Xhahysa dhe zëvendësi i tij Donaldo Lari, i pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, i cili në një intervistë për “Star Plus TV” tregoi më shumë rreth të ardhmes së këtij ekipi, ku tha se mbështetja nuk do të mungojë nga ana e tij.
Nga ana tjetër, trajneri shkodran Altin Xhahysa u shpreh se do të japë maksimumin e tij në krye të Tërbunit, pasi për të është gjithmonë kënaqësi të drejtojë pukjanët.
Drejtori teknik Alfred Pjetri thotë se në vazhdim Tërbunit do ti bashkohen edhe futbollistë të tjerë, pavarësisht se baza do të jetë me lojtarë shkodranë.I pranishëm në seancën e parë stërvitore të Tërbunit, ishte edhe deputeti pukjan i PD për qarkun e Shkodrës, Ludovik Hasani, i cili tha se objektivi i vetëm i këtij ekipi do të jetë shpallja kampion në sezonin e ardhshëm.
Synimet e Tërbunit do të jenë që të rikthehet sa më parë në Kategorinë e Parë, por një gjë e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë, duke marrë në konsideratë edhe garën mjaft të egër me ekipet e tjera kundërshtare në Kategorinë e Dytë.